Turqia i ka propozuar NATO-s dhe ShBA-së formimin e një komisioni të përbashkët ekspertësh për S-400

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlut Çavusoğlu) në lidhje me blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia tha se janë marrë parasysh shqetësimet e NATO-s.

Turqia i ka propozuar NATO-s dhe ShBA-së formimin e një komisioni të përbashkët ekspertësh për S-400

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlyt Çavushollu (Mevlut Çavusoğlu) në lidhje me blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia tha se janë marrë parasysh shqetësimet e NATO-s.

Ministri Çavushollu u prononcua gjatë konferencës për shtyp të organizuar pas mbledhjes treshe të ministrave të Jashtëm të Turqisë, Polonisë dhe Rumanisë që u mbajt në Ankara.

Në përgjigje të pyetjes në lidhje me sistemet S-400 dhe avionët F-35, ministri Çavushollu rikujtoi se ShBA-së i kanë propozuar formimin e një grupi të punës të përbërë nga ekspertët.

“Gjatë vizitës së fundit në Uashington ne përsëritëm këtë propozim. Ejani të formojmë një komision të përbashkët, ku do të marrë pjesë edhe NATO-ja dhe që do të formohet nga ekspertët”, bëri të ditur Çavushollu.

Ndërkaq në përgjigje ndaj pretendimeve se “sistemet S-400 do të mund të marrë teknologjinë e avionëve F-35 duke hyrë në sistemin e tyre”, shefi i diplomacisë turke tha: “Ne këto pretendime i vlerësojmë si joreale. Prapë themi që edhe për këtë çështje fjalën e fundit ta thonë ekspertët. Ne prej fillimit kemi vepruar që sistemi i mbrojtjes ajrore S-400, përfshirë edhe programin, të jetë plotësisht nën kontrollin tonë. Sot në Siri janë të vendosura sistemet S-400. Avionët F-35 të ShBA-së dhe Izraelit fluturuan shumë herë mbi Sirinë. Në qoftë se janë të vërteta këto pretendime atëherë qysh moti është hyrë në këto sisteme. Këto sisteme në mënyrë të njëjtë ndodhen në kufijtë e Rusisë në veri të Norvegjisë dhe avionët norvegjezë të llojit F-35 fluturojnë shumë afër kufirit. Prandaj nuk i vlerësojmë si të drejta pretendimet që sistemet S-400 në Turqi do të mund të hyjnë në sistemet e avionëve F-35”.

Çavushollu vuri në pah që NATO-ja është e interesuar në propozimin e Turqisë, ndërsa nga ShBA-ja ende nuk mori ndonjë qasje pozitive.

“Ne duhet t’i marrim parasysh edhe shqetësimet e NATO-s. Nuk është e drejtë të thuhet që Turqia nuk i mori parasysh këto shqetësime, sepse ne jemi shumë të ndjeshëm për këto çështje. Aleati ynë dhe NATO-ja duhet të kuptojnë që ne kemi nevojë emergjente për sistemet e mbrojtjes ajrore”, bëri të ditur Çavushollu.

Duke potencuar që mbledhja treshe mes Turqisë, Polonisë dhe Rumanisë ishte shumë produktive shefi i diplomacisë turke tha se “Të gjithë aleatët e NATO-s duhet të vazhdojnë me solidaritetin mes tyre”.

Çavushollu preku edhe në rëndësinë e luftës kundër terrorit, ku tha se është e nevojshme të mbrohet uniteti i NATO-s, ndërsa shtoi se bashkëpunimi me organizatën separatiste terroriste YPG/PKK është në kundërshtim me frymën e aleancës.

 


Lajme të ngjashme