Erdogan falënderoi Bolivinë për mbështetjen e dhënë kauzës palestineze

Presidentët Erdogan dhe Morales pas takimit në Kompleksin Presidencial organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Erdogan falënderoi Bolivinë për mbështetjen e dhënë kauzës palestineze

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) falënderoi Bolivinë për mbështetjen e dhënë kauzës palestineze, posaçërisht për statusin e Jerusalemit dhe mbrojtjen e civilëve palestinezë.

Erdoan së bashku me Presidentin e Bolivisë, Huan (Juan) Evo Morales Ajma (Ayma), i cili ndodhet për vizitë në Turqi me ftesë të presidentit, pas takimit kokë më kokë dhe mes delegacioneve në Kompleksin Presidencial, organizuan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Fjalën e tij Presidenti Erdoan e filloi duke e falënderuar Moralesin për vizitën e parë zyrtare në nivel presidenti nga BoliviaTurqi, ndërsa rikujtoi se Turqia vitin e kaluar hapi ambasadën e saj në La Paz dhe u shpreh i kënaqur nga vendimi i Bolivisë për të hapur ambasadë e saj në Ankara.

Ai shtoi se vitin e ardhshëm do të shënohet 77-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Turqisë dhe Bolivisë.

Kreu i shtetit turk bëri të ditur se në këtë kuadër në vitin 2020 do të organizohen aktivitete të posaçme në të dyja vendet, ndërsa uroi që këto aktivitete të kontribuojnë në zhvillimin e marrëdhënieve njerëzore.

Erdoan gjithashtu bëri të ditur se gjatë takimit u arrit në konsensus që mbledhja e parë e Komisionit të Përzier Ekonomik mes dy vendeve të mbahet këtë vit, ndërsa tha se marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare kohëve të fundit morën shtysë serioze.

Duke vënë në dukje se vëllimi tregtar gjatë 2 viteve të fundit shënoi rritje në nivel 250 për qind dhe kapi shifrën prej 113 milionë dollarëve, Presidenti Erdoan tha: “Me Presidentin Morales jemi të mendimit të njëjtë që kjo shifër është e ulët nga aspekti i dy vendeve, ndërsa ishim dakord që do të jetë e dobishme për të përcaktuar një objektiv tregtar që në fazën e parë do të jetë 500 milionë dollarë”.

Erdoan gjithashtu preku në çështjet e forcimit të bazës ligjore të marrëdhënieve ekonomike, rritjen e investimeve reciproke dhe ndërmarrjen e iniciativave të përbashkëta në sektorët e ndryshëm siç është ai i energjisë.

Presidenti Erdoan shtoi se Turqia është kryesuesja e radhës e Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI) dhe se Morales është kryesuesi i radhës i Komunitetit të Shteteve të Amerikës Latine dhe Karaibeve (CELAC), ndërsa vijoi me këto fjalë: “Duam të shprehim edhe njëherë shqetësimin tonë nga rritja e të djathtës ekstreme dhe islamofobisë në botë. Ne refuzojnë çdo lloj të diskriminimit, margjinalizimit dhe të përjashtimit. Falënderojmë Bolivinë për mbështetjen e dhënë kauzës palestineze dhe për mbrojtjen e statusit të Jerusalemit dhe të civilëve palestinezë. Krahas kësaj vlerësojmë lartë edhe qasjen e tyre ndaj çështjes së Lartësirave të Golanit”.

Erdoan tërhoqi vëmendjen edhe në Venezuelë, që ishte një çështje tjetër për të cilën kanë biseduar me Moralesin, ndërsa shtoi: “Populli i Venezuelës vullnetin e tij e shprehu me zgjedhjet presidenciale të mbajtura vitin e kaluar. Ne në emër të demokracisë nuk e vlerësojmë të drejtë që të tjerët të marrin në pyetje vendimet që miqtë tanë venezuelas i morën në kutitë e votimit. Emërimi i një personi që nuk ka të bëjë me zgjedhjet sikur caktohet guvernator provincial në krye të një vendi, nuk ka të bëjë aspak me demokracinë. Ne ashtu si Bolivia në kuadër të parimeve të respektimit të sovranitetit, vendimit të popullit, demokracisë dhe mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve tjera, vazhdojmë të njohim qeverinë legjitime të Venezuelës. Ne thamë dhe vazhdojmë të themi se është e nevojshme që për arritje në zgjidhje të krizës të mbahen të hapura kanalet e komunikimit mes qeverisë dhe opozitës së Venezuelës si dhe me shoqërinë ndërkombëtare”.  

 


Lajme të ngjashme