Turizmi në Turqi – Siti Neolitik i Çatalhojukut (Çatalhoyuk)

Çatalhojuku, pozicionuar në Anadollin Qendror, 11 km nga nënprefektura Çumra e rrethit Konia, konsiderohet të jetë një nga vendbanimet e para të njerëzimit dhe mendohet të ketë pasur rreth 8.000 banorë.

Çatalhöyük 2.jpg
çatalhöyük 1.JPG
çatalhöyük 4.JPG
çatalhöyük 6.JPG
çatalhöyük 5.JPG

Turizmi në Turqi – Siti Neolitik i Çatalhojukut (Çatalhoyuk)

Turqia është shtëpi e shumë vendbanimeve të lashta që datojnë në epokat e hershme të njerëzimit. Siti Neolitik i Çatalhojukut (Çatalhoyuk) është njëri prej tyre.

Çatalhojuku ofron prova unike të evolucionit shoqëror dhe kulturor të njerëzimit në procesin historik që fillon rreth 9.500 vite më parë. Kjo zonë është një park arkeologjik i pashembullt që dëshmon kalimin në shoqërinë bujqësore dhe jetën sedentare.

Pozicionuar në Anadollin Qendror, 11 km nga nënprefektura Çumra e rrethit Konia, Çatalhojuku konsiderohet të jetë një nga vendbanimet e para të njerëzimit dhe, sipas gjetjeve arkeologjike, mendohet të ketë pasur rreth 8.000 banorë. Ky qytet i lashtë, një shembull i rrallë i një vendbanimi neolitik të ruajtur mirë, është emërtuar sipas dy gradishtave në lindje dhe perëndim të tij. Ai është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2012.

Gradishtat formohen si rezultat i akumulimit mbi njëra-tjetrën të rrënojave për shkak të tërmeteve apo luftërave. Për këtë arsye, ato nxjerrin në pah një grumbull mbetjesh arkeologjike shumëfazëshe, të cilat u përkasin epokave të ndryshme të historisë.

Çatalhojuk, gradishta lindore dhe ajo perëndimore janë në formën e dy kodrave me lartësi të ndryshme. Gërmimet në kodrën lindore zbuluan 18 shtresa të një vendbanimi neolitik. Në shtresat që datojnë në vitet 7.000 p.e.s., janë zhvarrosur shumë mbetje dhe të dhëna që dëshmojnëkalimin në jetën sedentare; si dhe është krijuar një arkiv i rëndësishëm që përfshin vepra arkitekturore dhe artistike.

Kurse gradishta perëndimore daton në vitet 6.000 p.e.s. dhe ka karakteristika të epokës së bakrit apo kalkolitit. Ajo vërteton se struktura kulturore që vërehet në periudhat e hershme të gradishtës lindore, vazhdohet edhe këtu.

Dy gradishtat e shtrira në një sipërfaqe rreth 14 hektarë, janë përdorur si qendra banimi për më shumë se 2.000 vite.

Njerëzit në Çatalhojuk jetonin në banesa të dendura sikurse apartamentet e sotme, të dekoruara, mjaft komplekse dhe të ndërtuara me tulla dheu e dru. Shtëpitë kanë qenë të lidhura me njëra tjetrën. Dyert e shtëpive kanë qenë në kulm dhe fqinjët kanë ecur nëpër kulmare të njëri-tjetrit për të hyrë në shtëpinë e tyre. Asnjë shesh, asnjë oborr dhe asnjë rrugë nuk është gjetur në Çatalhojuk. Ekspertët e arsyetojnë këtë situatë me lidhjet e forta familjare dhe me preferencën e banorëve për të jetuar në mënyrë kolektive.

Muret e shtëpive janë të zbukuruara me forma gjeometrike, yje, motive lulesh dhe figura gjuetie, demash, drerësh, deshësh dhe vallëzimi.

Gërmimet arkeologjike nxjerrin përfundimin se njerëzit e parë që janë vendosur në Çatalhojuk, ishin një shoqëri që e siguronin ushqimin nga gjuetia e kafshëve të egra dhe mbledhja e prodhimeve të gatshme; ndërsa më pas kanë nisur të merren edhe me bujqësi. Pothuajse paralelisht me bujqësinë, banorët e Çatalhojukut janë marrë edhe me blegtori, fillimisht me zbutjen e gjedhëve dhe deleve.

Si rezultat i gërmimeve në gradishtën lindore janë zbuluar një numër i madh statujash të vogla të Nënës Perëndeshë, simbol i pjellorisë. Përmasat e këtyre statujave të prodhuara nga balta e pjekur, mermeri apo gurët gëlqerorë, ndryshojnë nga 5 deri në 15 cm.

Gërmimet në Çatalhojuk vijojnë ende sot e kësaj dite.

Këshilla jonë për udhëtarët që do të shkojnë në Konia për të parë banesat dhe qytetin e këtyre njerëzve, të cilët kanë jetuar mijëra vite më parë, është të vizitojnë muzetë, xhamitë, hanet dhe sidomos Muzeun e Rumiut, të blejnë nga punimet artizanale dhe të shijojnë kuzhinën tradicionale të kësaj zone.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme