Pas 6 prillit fluturimet nga/drejt Stamboll do të bëhen nga aeroporti i ri

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Xhahit Turhan (Cahit Turhan) tha se fluturimi i fundit nga aeroporti “Ataturk” në Stamboll do të bëhet në orën 02.00 të datës 6 prill.

Pas 6 prillit fluturimet nga/drejt Stamboll do të bëhen nga aeroporti i ri

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Xhahit Turhan (Cahit Turhan) organizoi një konferencë shtypi në lidhje me transferimin e operacioneve të kompanive ajrore nga aeroporti “Ataturk” për në aeroportin e ri të Stambollit.

Vitet e fundit Turqia është një nga vendet me rritjen më të shpejtë në botë, sidomos në fushën e aviacionit civil,- tha Turhan, duke theksuar se aviacioni civil turk është shndërruar në një nga sektorët ajrorë më prestigjioz të botës.

Aeroporti “Ataturk” nuk është më në gjendje të përballojë barrën në zhvillim të aviacionit civil, shtoi ai.

Ministri Turhan tha se Stambolli ndodhet në qendër të korridorit Evropë-Azi-Afrikë-Lindje e Mesme, korridor i cili kap 66% të tregut të pasagjerëve transit. “Për këtë arsye ne ndërtuam edhe aeroportin e ri të Stambollit”, theksoi ai.

Paralelisht me këtë (me ndërtimin e aeroportit) ne nisëm edhe ndërtimin e infrastrukturës së transportit që të çon në aeroport dhe me këtë kemi synuar të parandalojmë vështirësitë që mund të hasin qytetarët e Stambollit për të shkuar në aeroport, tha Turhan.

Duke folur për procesin e transferimit në aeroportin e ri, Xhahit Turhan sqaroi se operacioni i transferimit do të fillojë natën e 5 prillit në orën 03.00 dhe do të mbarojë natën e 6 prillit, në orën 23.59, pra gjithsej do të zgjasë 45 orë.

Gjatë këtij procesi,- shtoi Turhan,- disa rrugë për 26 orë do të jenë të bllokuara për trafikun e zakonshëm.

Do të kemi vetëm një ndërprerje prej 12 orësh të të gjitha fluturimeve në të njëjtën kohë tek të dyja aeroportet,- tha Turhan dhe shtoi: “Në orën 02.00 të datës 6 prill do të bëhet fluturimi i fundit nga aeroporti “Ataturk”. Ndërsa duke filluar nga ora 14.00 e datës 6 prill do të fillojë të rritet gradualisht numri i fluturimeve që do të realizohen nga aeroporti i ri i Stambollit. Aeroporti “Ataturk” tani e tutje do të përdoret si lulishte popullore, hapësirë për panaire, aktivitete edukative dhe fluturime të aviacionit të përgjithshëm”.



Lajme të ngjashme