Turizmi në Turqi – Xhamia e Madhe dhe Spitali në Divrigi

Ndërtuar rreth 775 vjet më parë, Xhamia e Madhe dhe Spitali në Divrigi janë ndër veprat arkitektonike më të rëndësishme të Anadollit.

Turizmi në Turqi – Xhamia e Madhe dhe Spitali në Divrigi

Turizmi në Turqi – Xhamia e Madhe dhe Spitali në Divrigi

Xhamia e Madhe dhe Spitali në Divrigi (Divrigi Ulu Camii ve Darussifasi), me arkitekturën e tyre dhe gdhendjet e jashtëzakonshme të gurit, janë ndër veprat arkitektonike më të rëndësishme të Anadollit. Ndërtuar rreth 775 vjet më parë, ky kompleks përbëhet nga një xhami dhe një spital ngjitur saj. Që të dyja objektet në fjalë janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 1985.

Pozicionuar në qytezën Divrigi të rrethit Sivas, në zonën gjeografike turke të Anadollit Qendror, xhamia dhe spitali në fjalë i përkasin periudhës së sundimit të meguxhekëve, një principatë besnike e Shtetit Selxhuk. Xhamia është ndërtuar rreth mesit të shekullit 13. me urdhër të Ahmed Shahut, bej i menguxhekëve; kurse spitali me urdhër të bashkëshortes së tij, Turan Melek, në po ato vite. Kryearkitekt i këtyre dy veprave madhështore është Ahlatli Hurrem Shahu.

Karakteristikat më të rëndësishme të Xhamisë dhe Spitalit në Divrigi, të cilat kanë një vend të veçantë në mesin e shembujve të arkitekturës turko-anadollase të shekullit 13., janë gdhendjet në portat dhe shtyllat e kompleksit. Vlera e këtyre veprave shtohet edhe më shumë nga ajo se dhjetëra-mijëra motive të përdorura në gdhendjet, që shfaqin shembujt më të mirë të mjeshtërisë së skalitjes së gurit, nuk përsëriten qoftë edhe një herë të vetme.

Xhamia, e cila ka pranë edhe një tyrbe me dy kupola, është e veshur me gurë të latuar, ka një plan drejtkëndor dhe tri hyrje. Në hyrjen kryesore ka motive lulesh dhe gjethesh, të cilat e bëjnë atë të njihet si “Porta e Parajsës”.

Porta në anën perëndimore është e zbukuruar me motive dantelle. Modelet e tulipanëve janë përdorur gjithashtu në dekorimin e kësaj porte, e cila ka të gdhendur një shqiponjë dykrenore që simbolizon selxhukët e Anadollit, si dhe një fajkua me kokë të ulur përpara që simbolizon menguxhekët.

Ndërsa porta e tretë në krahun lindor njihet si “Porta e Shahut”, sepse mendohet të jetë përdorur nga Shahu për të hyrë në xhami.

Mimberi ka të njëjtën moshë me xhaminë dhe është punuar në abanoz, druri më jetëgjatë në botë. Ky element ruan origjinalitetin dhe është në përdorim ende sot e kësaj dite.

Brenda xhamisë ka dy sëndukë amanetesh të gdhendur nga gurë monolitë. Në këta sëndukë njerëzit linin sendet e tyre të çmuara përpara se të udhëtonin për në ndonjë vend të largët dhe të panjohur. Sërish brenda xhamisë ndodhet një kuti guri për bamirësi, ku besimtarët jepnin donacione për njerëzit në nevojë.

I planifikuar si një spital i përgjithshëm, Spitali në Divrigi është shembulli më i vjetër dhe më i rëndësishëm i institucioneve shëndetësore në Anadoll.

Kur është ndërtuar, ky spital ka shërbyer për kurimin e sëmundjeve fizike dhe psikike. Kurse në periudhën osmane, përveçse ka vazhduar të shërbejë si spital, një pjesë e ti është përdorur edhe si medrese.

Nëse shkoni në Sivas për të parë Xhaminë e Madhe dhe Spitalin në Divrigi, mos bëni gabim të ktheheni pa vizituar hanet, medresetë dhe kalanë historike të qytetit, pa bërë një zhytje nën akujt e liqenit Todurge, si dhe pa provuar shijet tradicionale të biskotave të furrës, japrakëve dhe ëmbëlsirës me petë.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme