FAT dhe MIT neutralizojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të liderit të PKK-së

Në operacionet e përbashkëta të Agjencisë Turke të Inteligjencës (MIT) dhe Forcave të Armatosura të Turqisë (FAT) të ndërmarra në zonën Kandil të Irakut, është plagosur rëndë Riza Altun, njëri prej personave më të afërt të Cemil Bayik.

FAT dhe MIT neutralizojnë bashkëpunëtorin e ngushtë të liderit të PKK-së

Në operacionet e përbashkëta të Agjencisë Turke të Inteligjencës (MIT) dhe Forcave të Armatosura të Turqisë(FAT) të ndërmarra në zonën Kandil të Irakut, është plagosur rëndë Riza Altun, njëri prej personave më të afërt të Cemil Bayik, udhëheqësit të organizatës separatiste terroriste PKK.

Sipas informatave të marra nga forcat e sigurisë në operacionin e ndërmarrë të enjten më 21 mars janë neutralizuar Altun dhe personat që e shoqëronin.

Në mesin e të neutralizuarve ndodhen edhe i ashtuquajturi përgjegjës për marrëdhënie me jashtë i organizatës separatiste terroriste PKK, Mikail Ozdemir i njohur me pseudonimin “Navdar”, zëdhënësi Emrullah Dursun me pseudonimin “Serhat Varto” dhe përgjegjësi për zonën e Kandilit, Ali Aktas me pseudonimin “Sinan Sor”.

Operacioni u ndërmor pasi Agjencia Turke e Inteligjencës mori një njoftim që Riza Altun do të mbajë një mbledhje në zonën Kandil në afërsi të kufirit me Iranin.

Në këtë kuadër u morën nën kontroll të gjitha rrugët dhe makinat në afërsi të kufirit me Iranin që do të mund t’i përdorte Riza Altun.

Terroristi Altun, i cili ndodhet në të ashtuquajturin kuadrin udhëheqës të PKK-së, së bashku me Mikail Ozdemir dhe Emrullah Dursun shkuan në fshatin Abu Bakra në afërsi të kufirit me Iranin në Kandil. Pas zbulimit të tyre me dronin Bayraktar TB-2 u bë koordinimi i nevojshëm me avionët luftarakë F-16 të Forcave të Armatosura të Turqisë për ndërmarrjen e operacioneve ajrore.

Pas bërjes së përgatitjeve të nevojshme, të enjten më 21 mars në orët e mesditës në saje të koordinatave të sakta të siguruara nga Agjencia Turke e Inteligjencës personat në fjalë u goditën me saktësi të lartë me anë të një operacioni ajror.

Riza Altun, i cili organizonte kontaktet e organizatës terroriste me aktorët ndërkombëtarë në rajon e që në disa media të huaja u prezantua edhe si i ashtuquajturi “ministri i Jashtëm”, u plagos rëndë në këtë operacion, por ende nuk dihet për fatin e tij.

Operacioni, i cili i dha goditje të rëndë kuadrit udhëheqës të organizatës që menaxhonte me kontaktet e organizatës dhe që ka cilësinë e një mesazhi për aktorët në rajon, në të njëjtën kohë vuri në pah që PKK-ja edhe në brendësinë e rajonit Kandil nuk mund të fshihet nga Forcat e Armatosura të Turqisë.  

 


Lajme të ngjashme