Turizmi në Turqi – Ksanthi dhe Letoni (Xanthos-Letoon)

Në aspektin e gjetjeve/rrënojave arkeologjike dhe autenticitetit të qytetërimit likian, Ksanthi dhe Letoni janë ndër vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore.

1170316
Turizmi në Turqi – Ksanthi dhe Letoni (Xanthos-Letoon)

Turizmi në Turqi – Ksanthi dhe Letoni (Xanthos-Letoon)

Ksanthi dhe Letoni (Xanthos-Letoon) janë dy qytete antike, historia e të cilëve shkon deri në thellësitë e viteve 3.000 para erës sonë. Ata ndodhen respektivisht në kufijtë administrativë të rretheve Antalia dhe Mugla, në zonën mesdhetare të Turqisë. Që të dy janë të përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ksanthi njihet si kryeqyteti dhe qendra administrative më e madhe e Likisë në antikitet. I pavarur derisa hyri nën sovranitetin pers në vitin 545 p.e.s., ky qytet është djegur plotësisht rreth një shekull pas pushtimit të tij nga persët. Ai është rindërtuar menjëherë pas zjarrit që e dogji tërësisht; madje në shekullin II p.e.s. është shpallur edhe kryeqytet i Lidhjes Likiane, njohur si unioni demokratik i parë në historinë e njerëzimit.

Më pas, Ksanthi është pushtuar me radhë nga romakët dhe bizantinët, hegjemonia e të cilëve ka vijuar deri në dyndjet arabe të shekullit VII. Në objektet e ndërtuara në këtë qytet nga çdo civilizim antik që e ka sunduar, duken qartë traditat likiane, gjurmët apo ndikimet e periudhës helenistike dhe asaj romake. Rrënojat më interesante të qytetit të rrethuar me mure janë teatri dhe varret monumentale të epokës helenistike, por edhe relievet e epigrafet mbi sarkofagët likianë.

Sa i përket Letonit, një tjetër qytet i lashtë që ndodhet vetëm 4 km larg Ksanthit, mund të themi lehtësisht se ai konsiderohej “qendër kulti e Likisë antike.

Duke u bazuar në zbulimet arkeologjike të 30 viteve të fundit, arrihet në përfundimin se Letoni është banuar dhe ndërtuar për herë të parë në shekullin VII p.e.s. Në kërthizë të këtij qyteti antik ngrihen tre tempuj të rreshtuar krah për krah, dedikuar Artemidës apo Artemisës, Apolonit dhe nënës së tyre, Leto. Epigrafet në tri gjuhë – likisht, aramaisht dhe greqishte e vjetër – mbishkrime të cilat janë gjetur në këtë zonë, kanë ndihmuar jashtëzakonisht shumë në deshifrimin e gjuhës likiane. Menjëherë pranë tempujve në fjalë është një çezmë dhe një kishë paleokristiane. Teatri helenistik renditet gjithashtu mes rrënojave që vlen të vizitohen.

Në aspektin e gjetjeve/rrënojave arkeologjike dhe autenticitetit të qytetërimit likian, Ksanthi dhe Letoni janë ndër vlerat më të rëndësishme të trashëgimisë botërore.

Prandaj, nëse shkoni në Antalia dhe Mugla për të parë qytetet antike në fjalë, ju sugjerojmë të laheni në det dhe të merrni rreze dielli në plazhin e Patarësnjë prej zonave më të rëndësishme të mbarështimit të breshkave kokëtrashë (Caretta caretta) në Turqi; të bëni kanotazh mbi qytetin antik të fundosur të Simenës në gjirin e Kekovës, të zbrisni për një aventurë në kanionin e Qytetit të Fshehur (Saklikent), të vizitoni Kishën e Shën-Kollit (Babagjyshi i Vitit të Ri) në Demre, si dhe të bëni një shëtitje me varkë në gjiret me bukuri magjepsëse të Mesdheut turk.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme