Turqia ndihmon Argjentinën në fushën e arsimit, protokoll për ndërtimin e një shkolle fillore

TIKA nënshkroi të dielën me Qendrën Islame të Argjentinës protokollin për ndërtimin e një shkolle fillore , sipas direktivës së lëshuar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij të fundit në këtë shtet të Amerikës Latine.

Turqia ndihmon Argjentinën në fushën e arsimit, protokoll për ndërtimin e një shkolle fillore

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) nënshkroi të dielën me Qendrën Islame të Argjentinës protokollin për ndërtimin e një shkolle fillore, sipas direktivës së lëshuar nga Presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij të fundit në këtë shtet të Amerikës Latine.

Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, e cila u mbajt në kryeqytetin Buenos-Ajres, ishin ambasadori i Turqisë në Argjentinë, Sefik Vural Altay, zv/presidenti i TIKA-s, Rahman Nurdun, drejtori i përgjithshëm i Qendrës Islame të Argjentinës, Anibal Bakir, kreu i Departamentit të Marrëdhënieve të Jashtme dhe Partneriteteve të TIKA, Ugur Tanyeli, si dhe përfaqësues të komunitetit mysliman argjentinas.

Ambasadori Sefik Vural Altay deklaroi në fjalën e rastit se ky projekt do të çojë edhe një hap më tej marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve.

“TIKA është burim krenarie për ne. Ajo përpiqet të mbështesë të gjitha shoqëritë anembanë botës në çdo fushë, që nga arsimi e deri te shëndetësia dhe që nga bashkëpunimi kulturor e deri te ndihmat humanitare”, theksoi ai.

Kurse zv/presidenti i TIKA-s, Rahman Nurdun, shprehu edhe një tjetër herë ngushëllimet e tij për familjet dhe të afërmit e viktimave të sulmit terrorist në Zelandën e Re, ndërsa vuri në pah se ndërtimi i shkollës fillore në fjalë është një projekt me rëndësi madhore.

“Me direktivën e Presidentit Erdogan, ne vumë nën garancinë e nënshkrimit projektin e shkollës fillore, në një periudhë që po shënon përshkallëzim të rrezikut të islamofobisë. Qendra Islame e Argjentinës është institucioni më i rëndësishëm që përfaqëson myslimanët në Argjentinë dhe në të gjithë hapësirën gjeografike të Amerikës Jugore. Ndihem krenar që hedh firmën mbi një projekt të këtillë”, tha numri 2 i TIKA-s.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i Qendrës Islame të Argjentinës, Anibal Bakir, e nisi fjalën e tij duke falënderuar Presidentin Erdogan, popullin turk dhe kreun e TIKA-s, Serdar Çam.

“Kjo është shtëpia juaj. Mirë se erdhët në shtëpinë tuaj. Turqia është një vend shumë i veçantë, ku bashkëjetojnë në harmoni shumë njerëz me përkatësi fetare të ndryshme. Ajo e mbron mjaft mirë këtë trashëgimi të Perandorisë Osmane”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme