Erdogan: Terroristi i Zelandës së Re dhe DAESH-i kanë fytyrë të njëjtë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan shkroi një artikull për gazetën amerikane “The Washington Post”.

Erdogan: Terroristi i Zelandës së Re dhe DAESH-i kanë fytyrë të njëjtë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se referimi shumë herë në të ashtuquajturin manifestin e terroristit, i cili masakroi 50 myslimanë në Zelandën e Re, ndaj Turqisë dhe atij personalisht është kuptimplotë.

Presidenti Erdogan shkroi një artikull për gazetën amerikane “The Washington Post”, i cili u botua me titull “Terroristi i Zelandës së Re dhe DAESH-i kanë fytyrë të njëjtë”.

Duke vënë në dukje se 50 njerëz të pafajshëm të vrarë në sulmet terroriste në qytetin ChristchurchZelandës së Re janë dëshmorë, Presidenti Erdogan rikujtoi se nga këto sulme kanë shpëtuar të plagosur edhe një numër i madh i të tjerëve të mbledhur në xhamitë vendore për të falur namazin e xhumasë.

Kreu i shtetit turk tërhoqi vëmendjen tek referencat e shumta që hasen mbi armët e terroristit dhe në të ashtuquajturin manifestin e publikuar në internet, ndërsa shtoi se “Referimi i terroristit shumë herë ndaj Turqisë dhe ndaj meje personalisht është kuptimplotë dhe është një gjë për të cilën duhet menduar”, - tha Erdogan dhe theksoi se përgjegjësi i masakrës po përpiqet të legjitimojë pikëpamjet e tij të çoroditura duke e shtrembëruar historinë botërore dhe besimin e krishterë.

“Ai bëri përpjekje për të mbjellë fara të urrejtjes mes njerëzimit. Unë si një lider, i cili shumë herë ka thënë se terrorizmi nuk ka fe, gjuhë dhe racë, e refuzoj kategorikisht çdo përpjekje që sulmi i fundit terrorist, që ndodhi javën e kaluar, të ndërlidhet me doktrinën, etikën ose parimet e krishtera. Ato që ndodhën në Zelandën e Re mund të vlerësohen vetëm si një prodhim toksik i injorancës dhe urrejtjes”, shkruan Erdogan në artikullin e tij.

Presidenti Erdogan në mes tjerash tha se “Populli ynë nuk u ndesh për herë të parë në këtë ngjarje me falsifikimin e historisë nga terroristët. Organizata terroriste DAESH, e cila e interpretoi historinë nga perspektiva e ideologjisë radikale dhe është vrasëse e mijëra civilëve në mesin e të cilëve shumica ishin myslimanë, bënte thirrje për ‘Rimarrjen e Stambollit’. Kjo thirrje është e ngjashme me fjalët ‘ta bëjmë sërish këtë qytet të krishterë’, që zënë vend në manifestin e autorit të sulmit në Christchurch. Në të njëjtën kohë DAESH-i ishte betuar ta shkatërrojë Republikën e Turqisë – gjë që ishte njëra prej arsyeve që ushtarët turq i dhanë goditje të rëndë organizatave terroriste në Siri. Pra, mund të themi se mes atyre që ndërmorën sulme terroriste në Turqi, Francë, Indonezi dhe në vende tjera dhe në këtë rast me vrasësin që mori jetët e njerëzve të pafajshëm në Zelandën e Renë, nuk ka asnjë dallim”.

Erdogan gjithashtu bëri të ditur se pas masakrës në Christchurch mbi Perëndimin bien disa përgjegjësi, ndërsa shoqërive dhe qeverive Perëndimore u bëri thirrje që të mos lejojnë të normalizohen ideologjitë raciste, ksenofobe dhe islamofobe, të cilat tregojnë rritje viteve të fundit.

“Liderët Perëndimorë duhet të nxjerrin mësim nga guximi, udhëheqja dhe sinqeriteti i Kryeministres së Zelandës së Re, Jacinda Ardern dhe t’i përqafojnë myslimanët që jetojnë në vendet e tyre”, përfundoi Erdogan.

 


Lajme të ngjashme