Erdogan: Sulmi terrorist në Zelandën e Re, një veprim plotësisht i organizuar

Në deklaratat që bëri të hënën në mbrëmje në një transmetim direkt të përbashkët në disa televizione Presidenti Erdoan tha se sulmi terrorist në Zelandën e Re nuk ishte një akt individual, por një ngjarje plotësisht e organizuar.

Erdogan: Sulmi terrorist në Zelandën e Re, një veprim plotësisht i organizuar

Në deklaratat që bëri të hënën në mbrëmje në një transmetim direkt të përbashkët në disa televizione Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se sulmi terrorist në Zelandën e Re nuk ishte një akt individual, por një ngjarje plotësisht e organizuar.  

Presidenti Erdoan ka kritikuar edhe shtetet evropiane për heshtjen para sulmit terrorist të javës së kaluar ndaj dy xhamive në Zelandën e Re, ku humbën jetën të paktën 50 persona.

“Në rastin ‘Charlie Hebdo’ (sulmi që ndodhi në 2015 në Francë) e gjithë bota u bashkua në Evropë, apo jo? Po. Po mirë, po në këtë ngjarje a u dëgjua zëri i Evropës? Jo. Ne nuk kemi dëgjuar ende ndonjë gjë nga Evropa në lidhje me këtë ngjarje. Media perëndimore po e menaxhon me dinakëri këtë çështje”, - u shpreh Erdoan.

Kreu i shtetit turk ndau edhe informacionin që kishte marrë në lidhje me dënimin e pritshëm për këtë sulm (në Zelandën e Re). “Flasin për një dënim deri në 15 vite burg. Atje martirizohen 50 myslimanë dhe dënimi maksimal për këtë do të jetë 15 vite. Si mund të ndodhë diçka e tillë? A mund të pranohet kjo?, shtroi pyetjen Erdoan.

Të paktën 50 persona mbetën të vrarë javën e kaluar kur një terrorist hapi zjarr ndaj besimtarëve gjatë faljes së namazit të xhumasë në xhamitë “Al Noor” dhe “Linwood” në qytetin Christchurch të Zelandës së Re.

Mposhtja e korridorit terrorist në Sirinë veriore

Në këtë intervistë televizive Presidenti Erdoan foli edhe për suksesin e arritur në provincën siriane të Afrinit me rastin e përvjetorit të pastrimit të këtij rajoni nga elementët terroristë me operacionin e Forcave të Armatosura Turke. Erdoan nënvizoi këtu një rrezik të rëndësishëm.

“Nëse ne nuk do ta kishim mbyllur korridorin terrorist atje, në qoftë se nuk do të kishim realizuar operacionin tonë nga Afrini dhe Xherabulusi, sot i gjithë kufiri ynë jugor do të ishte i pushtuar nga këta terroristë”,- tha Erdoan.

Në janar të vitit të kaluar Turqia filloi operacionin “Dega e Ullirit” për të larguar terroristët e PYD/PKK-së dhe DAESH-it nga qyteti sirian Afrin.

Në fushatën e saj terroriste 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja, e cila bën pjesë në listën e organizatave terroriste të Turqisë, SHBA-ve dhe BE-së, është përgjegjëse për vdekjen e rreth 40.000 personave, duke përfshirë gra dhe fëmijë. Kurse YPG-ja është dega e saj në Siri.

Marrëdhëniet Turqi-BE

Duke komentuar deklaratat e fundit që kanë ardhur nga zyrtarët evropianë në lidhje me bisedimet me Bashkimin Evropian (BE), Presidenti Erdoan tha se BE-ja nuk mund ti ndërpresë negociatat me Turqinë, nuk mund ta lërë atë jashtë Unionit, pasi kanë nevojë për Turqinë.

Komentet e presidentit Erdoan vijnë pasi Parlamenti Evropian (PE) javën e kaluar miratoi një raport jodetyrues, me të cilin kërkon pezullimin e procesit të anëtarësimit të Turqisë në BE.

Ankaraja zyrtare e hodhi poshtë raportin si të njëanshëm, të pasaktë dhe paragjykues.

Turqia ka aplikuar për anëtarësim në BE në vitin 1987, ndërsa negociatat për anëtarësim filluan në vitin 2005.

Mirëpo, negociatat ngecën në vitin 2007 për shkak të kundërshtimeve që erdhën nga Qiproja greke, Gjermania dhe Franca.



Lajme të ngjashme