Turizmi në Turqi – Kalaja e Dijarbakërit dhe Kopshtet e Hevselit

Pozita gjeografike e Dijarbakërit (Diyarbakir) ka bërë që shumë qytetërime të kalojnë nga kjo zonë përgjatë historisë.

Diyarbakır56.jpg
Diyarbakır8.jpg
Diyarbakır4.jpg
diyarbakir.jpg
diyarbakır 5.jpg
diyarbakır 4.jpg

Turizmi në Turqi – Kalaja e Dijarbakërit dhe Kopshtet e Hevselit

Pozita gjeografike e Dijarbakërit (Diyarbakir) ka bërë që shumë qytetërime të kalojnë nga kjo zonë përgjatë historisë. Gjurmët e të gjitha këtyre civilizimeve vërehen lehtësisht edhe sot e kësaj dite në rrugët, rrugicat, xhamitë, kishat dhe urat e tij. E kaluara nuk është zhdukur në Dijarbakër, por është bërë njësh me atmosferën e qytetit.

Dijarbakëri është një qytet që ka pritur 33 qytetërime të ndryshme duke filluar nga hurritët, asirianët, persët e romakët dhe vazhduar me bizantinët, abasidët, selxhukët e osmanët. Meqenëse konsiderohet porta aziatike që hapen në Mesopotami, ai ka luajtur historikisht rolin e një qendre tregtare dhe ure kulturore të rëndësishme. I pozicionuar mbi gjurmët e Rrugës së Mëndafshit, Dijarbakëri është hijeshuar me hane nga më monumentalet dhe me ura nga më të bukurat e Lindjes. Kalaja e Dijarbakërit dhe Kopshtet e Hevselit janë ndër pasuritë historiko-kulturore më të rëndësishme të këtij qyteti.

Sikur të donte të sfidonte kohën, Kalaja e Dijarbakërit mbart gjurmët e të gjitha qytetërimeve që e kanë banuar. E trajtësuar ndër vite e shekuj sipas nevojave të kulturave dhe periudhave të rajonit, fortesa në fjalë ka një të shkuar rreth 7.000-vjeçare.

Në portat, mbishkrimet, ornamentet dhe kullat madhështore të mureve rrethuese 5,5 km të gjata të Kalasë së Dijarbakërit, mund të shihen lehtësisht gjurmët e gjalla të dhjetëra civilizimeve. Të formuar nga dy rreshta, muret e fortesës së lartpërmendur hapen me jashtë përmes 4 portave kryesore dhe njihen si ato më të gjatat në botë pas Murit Kinez.

Kopshtet e Hevselit janë një brez toke aluvionale që shtrihet nga muret rrethuese të Kalasë së Dijarbakërit deri në brigjet e lumit Tigër. Ato shfrytëzohen prej mijëra vitesh si toka bujqësore dhe thuhet se janë hangari i drithit më i vjetër i Mesopotamisë. Në këto toka pjellore, të cilat janë shfaqur si pasojë e ngushtimit të rrjedhës dhe rënies së prurjeve të Tigrit, përveç drithërave që mbilleshin kryesisht gjatë antikitetit, kultivohen fruta-perime nga më të ndryshmet dhe sidomos shalqiri i famshëm i Dijarbakërit, i cili besohet se rritet shumë si rezultat i plehut të pëllumbave.

Parajsa më e madhe e shpezëve në Anadollin Juglindor është gjithashtu në Kopshtet e Hevselit. Krahas më tepër se 180 lloje shpendësh, kjo zonë është habitat natyror edhe për shumë kafshë të egra, ku spikasin vidra, dhelpra, kunadhja, ketri dhe iriqi. Kopshtet e Hevselit ofrojnë një panoramë shumëngjyrëshe mahnitëse.

Duke qenë se përbëjnë një tërësi organike të vetme, këto mure rrethuese dhe kopshte u vlerësuan së bashku dhe në vitin 2015 u regjistruan si pasuria e 14-të e Turqisë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Këshilla jonë për ata që duan të vizitojnë qytetin në fjalë është të mos kthehen pa shëtitur jo vetëm Kalanë e Dijarbakërit dhe Kopshtet e Hevselit, por edhe Çarshinë e Spahinjve, Hanin e Hasan Pashës, Xhaminë e Madhe (Ulucami), Kishën e Shën-Mërisë, Karavansarajin, shtëpitë e vjetra dhe muzetë e qytetit.

Sa u përket shijeve tradicionale të krahinës, ju sugjerojmë të provoni gjellën e nardanit – një gatim me bollgur, mish të grirë dhe erëza; atë të meftunes – e cila përgatitet me kunguj, patëllxhanë dhe mish qengji; si dhe dollmanë me brinjë keci.

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme