Erdogan: Islamofobia arriti nivelin e masakrës masive me sulmin në Zelandën e Re

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të premten se me sulmin në Zelandën e Re, islamofobia, një fenomen që po nxitet në shkallë botërore, arriti nivelin e masakrës masive.

1164442
Erdogan: Islamofobia arriti nivelin e masakrës masive me sulmin në Zelandën e Re

Kreu i shtetit turk iu drejtua qytetarëve të tubuar në sheshin “Demokracia” të rrethit Gaziantep.

Gjatë mitingut në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 31 marsit, Erdogani u ndal gjithashtu mbi sulmin terrorist në vaktin e xhumasë ndaj dy xhamive të qytetit Christchurch në Zelandën e Re, me pasojë 49 të vdekur dhe 48 të plagosur, 20 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

“Islamofobia, një fenomen që po vërehet dhe madje po nxitet prej një kohe të gjatë në shkallë botërore, me këtë akt kaloi vijën e sulmit individual dhe arriti nivelin e masakrës masive. Duke qenë se sulmi në fjalë është rezultat i një planifikimi dhe motivimi prej një kohe të gjatë, është e qartë se nuk mund të justifikohet si një veprim i ngutur”, tha ai.

“Duket haptazi që mendësia, e cila përfaqësohet nga krimineli që shënjon vendin tonë, kombin tonë dhe mua personalisht, ka nisur të përhapet me shpejtësi si një kancer në shoqëritë perëndimore. Për më tepër, bëhet fjalë me të vërtetë për një terrorist, një vrasës që gjen guximin edhe për të bërë vlerësime specifike duke ndarë madje edhe vendin tim në Anadoll dhe Perëndim. Nëse nuk merren masa urgjentisht, është e pashmangshme që t’u shtohen të reja lajmeve të fatkeqësisë, të cilat i hapin rrugë kësaj ecurie të keqe”, vlerësoi presidenti turk.

Pasi ftoi të gjithë botën dhe veçanërisht shtetet perëndimore që të marrin masa urgjente kundër kësaj ecurie të rrezikshme, e cila kërcënon tërë njerëzimin, Erdogani tha: “Në emrin tim personal dhe të kombit tim, i lutem Allahut që të mëshirojë vëllezërit tanë të pafajshëm që humbën jetën në Zelandën e Re.”



Lajme të ngjashme