Akar: Turqia do të bëjë atë që është e nevojshme në Menbixh

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar deklaroi se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për operacionet e mundshme.

Akar: Turqia do të bëjë atë që është e nevojshme në Menbixh

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar deklaroi se kundër organizatës separatiste terroriste YPG/PKK në zonën e Menbixhit në Siri do të bëhet ajo që është e nevojshme.

Ministri Akar dje së bashku me shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Turke, gjeneralarmate Yasar Guler, komandantët e armatave, udhëheqjen e Shoqatës së Oficerëve të Pensionuar (TESUD) dhe disa oficerë në detyrë, u takua në një drekë të shtruar në Shtëpinë e Armatës në Sihhiye të Ankarasë.

Në fjalën e mbajtur këtu ministri Akar preku edhe në hapat që do të hidhen ndaj YPG/PKK-së, e cila mbanë të pushtuar pjesën veriore të Sirisë.

Ai vuri theksin në objektivat e terroristëve në Menbixh dhe lindje të lumit Eufrat, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Ne këtu vazhdojmë të avancojmë me mendjemprehtësi, me personalitet dhe identitet. Kemi planet dhe programet tona. Bëjmë përpjekje që këtë çështje ta zgjidhim në bashkëpunim sa më shumë të jetë e mundur me NATO-n dhe aleatët tanë”.

Ministri gjithashtu theksoi se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për operacionet e mundshme dhe tha: “Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Askush të mos dyshojë që kur të vjen koha do të bëjmë çdo gjë që është e mundur për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e vendit dhe popullit tonë. Objektivi ynë këtu janë vetëm terroristët. Përveç kësaj ne çdo herë kemi thënë se nuk kemi problem me popullin që jeton aty pavarësisht origjinën e tyre”.

Akar theksoi se zonën perëndimore të lumit Eufrat e kanë spastruar nga elementët e terroristëve, ndërsa vijoi duke thënë se “Nga lindja e lumit Eufrat ne sulmohemi me raketa, predha të mortajave dhe armë të lehta. Terroristët përdorin mjete shpërthyese artizanale. Ata ndërmarrin sulme nga një distancë 30-40 km ndaj posteve dhe personelit tonë duke përdorur avionë model. Këtë rrezik dhe kërcënim nuk e pranon asnjë vend në botë”.

Ai rikujtoi se terroristët duhet të tërhiqen 30-40 km në jug, duhet t’i dorëzojnë armët dhe në këtë zonë duhet të jenë të pranishme trupat e Forcave të Armatosura të Turqisë.

“Në këtë mënyrë kjo zonë bëhet e sigurt. Nga Turqia në shtëpitë e tyre në zonën e operacionit Mburoja e Eufratit janë kthyer 315 mijë refugjatë sirianë. Edhe këtu (lindja e lumit Eufrat) bëhet fjalë për kthimin e qindra mijëra refugjatëve. Qëllimi ynë është garantimi i sigurisë së kufijve dhe popullit tonë dhe kjo nuk ka rrugëdalje tjetër”, përfundoi ministri Akar.

 


Lajme të ngjashme