Turizmi në Turqi – Parku Arkeologjik i Anit

Qyteti antik i Anit ka qenë një pikëtakim dhe udhëkryq i historisë për kulturat gjeorgjiane, armene, bizantine, selxhuke dhe osmane.

Ani antik kenti 5.jpg
ani 3.jpg
Ani 2.jpg
Ani01.jpg
171395,aniarkeolojiksit06.png

Turizmi në Turqi – Parku Arkeologjik i Anit

Në çdo zonë gjeografike të Turqisë ka vendbanime antike që kanë mirëpritur për qindra vite radhazi qytetërime të shumta. Një prej tyre është edhe Parku Arkeologjik i Anit.

I pozicionuar në Anadollin Lindor, brenda kufijve administrativë të rrethit Kars, Parku Arkeologjik i Anit është një zonë e preferuar si vendbanim që periudhën e vonë të antikitetit klasik dhe fillimet e mesjetës. Kjo sepse ndodhet në një pozicion gjeografik shumë të volitshëm për vendbanim dhe për mbrojtje. Qyteti është themeluar mbi Rrugën e Mëndafshit, një ndër ato më të rëndësishme tregtare gjatë periudhës mesjetare,në pikën e hyrjes nga Kaukazi në Anadoll. Pikërisht ky pozicion gjeostrategjik i ka dhënë qytetit një zhvillim madhor në atë periudhë duke e transformuar në qendër politike, ekonomike dhe kulturore të rajonit.

Shndërruar në një qendër tregtare multikulturore me kalimin e viteve, qyteti i Anit ka shënuar një zhvillim marramendës edhe në aspektin urbanistik, arkitektonik dhe artistik. Komunitetet zoroastriste, e krishtera dhe myslimane, të cilat kanë jetuar në këtë zonë, i kanë dhuruar larmi kulturës së qytetit dhe njëherësh kanë ndikuar stilin arkitekturor të tij gjithashtu. Gjurmët e banimit të shekullit IV në Içkale formojnë në zonë shembullin e parë të kalimit nga modeli i qytetit të mbyllur në modelin e qytetit të hapur.

Qyteti antik i Anit ka qenë një pikëtakim dhe udhëkryq i historisë për kulturat gjeorgjiane, armene, bizantine, selxhuke dhe osmane. Stili arkitektonik, materialet dhe teknikat e ndërtimit, por edhe detajet ornamentale e dekorative që kanë dalë në pah si rezultat i ndërveprimit kulturor të ndërsjellë, kanë formuar një gjini arkitektonike karakteristike të Anit, e cila është përhapur më pas gjithandej Anadollit dhe Kaukazit duke kontribuuar në ndërtimin e monumenteve arkitekturore shumë origjinale.

Ndryshimet e vazhdueshme në rrugët tregtare bënë që Ani të humbasë rëndësinë e tij të dikurshme gjithnjë e më shumë. Qyteti u braktis përfundimisht në fillim të shekullit XVI.

Me objektet ushtarake dhe fetare të tij, ky qytet antik shpalos mjaftmirë veçoritë karakteristike të urbanistikës mesjetare.

Parku Arkeologjik i Anit shtrihet mbi një sipërfaqe prej gati 78 hektarësh.

Zona ka një të kaluar arkeologjike kaq të pasur, saqë nuk mungojë as gjetjet e epokës së bronzit dhe të hekurit, as ato të fundit të mesjetës së shekullit XV. Muret e jashtme të qytetit Ani mund të duket sikur janë gati për t’u shembur, por kur ato u ndërtuan në shekullin X (vitet 960) ishin mbresëlënëse dhe përbënin një mbrojtje të shkëlqyer. Brenda tyre ka 21 struktura të regjistruara si ndërtesa administrative, ushtarake dhe publiko-civile; objekte kulti si katedrale, xhami dhe kisha; si dhe një karvansaraj, një banjë (hamam) e një urë. Vizitorët që kalojnë përmes mureve të Anit, përshëndeten nga një pamje panoramike e rrënojave që shtrihen në 3 shekuj dhe 5 perandori. Ky qytet antik është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2016.

Nëse shkoni në Kars për të eksploruar Parkun Arkeologjik të Anit, mos bëni gabim të ktheheni pa parë kalanë 9-shekullore të Karsit, pa skijuar në Qendrën e Skive në Sarikamis dhe pa frymuar ajrin e pastër në pyllin e pishave skoceze – kuptohet nëse moti është i volitshëm, pa rrëshqitur mbi liqenin e grirë të Çildirit me sajë të tërhequr nga kuajt, si dhe pa vizituar parajsën e qindra shpezëve në Kuyucuk.

Karsi është një qytet i famshëm për mjaltin, djathin dhe sidomos kaçkavallin, për petët e quajtura hangel, si dhe për gatimet me mish pate; prandaj do bënit mirë që t’i provoni edhe këto shije.

Gjithashtu ju këshillojmë të ndiqni lojërat tradicionale që shfaqin pasurinë kulturore të zonës, si dhe të dëgjoni këngët e rapsodëve lokalë.

Mirë u takofshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme