Bisedë telefonike Erdogan-Trump, në fokus marrëdhëniet bilaterale, tregtia dhe Siria

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka realizuar një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan, Donald Trump.

Bisedë telefonike Erdogan-Trump, në fokus marrëdhëniet bilaterale, tregtia dhe Siria

Siç bëjnë të ditur burimet presidenciale turke, Erdogani dhe Trumpi kanë biseduar për çështjet dypalëshe, zhvillimet e fundit në Siri dhe kanë potencuar rëndësinë e mbështetjes së procesit politik duke nënvizuar vendosmërinë e tyre të përbashkët për të luftuar kundër terrorizmit të çdollojshëm.

Gjatë bisedës telefonike në fjalë, Erdogani ka rikonfirmuar gjithashtu dëshirën e Turqisë për të vazhduar marrëdhëniet e ngushta me partnerin e saj strategjik.

Dy liderët kanë rënë dakord se vendimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr (ushtarakisht) nga Siria duhet të zbatohet në përputhje me interesat e të dyja vendeve dhe pa dëmtuar objektivat e përbashkëta.

Kreu i shtetit turk dhe shefi i Shtëpisë së Bardhë janë pajtuar gjithashtu që të zhvillojnë më tej marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy shteteve dhe të arrijnë objektivin e vëllimit tregtar prej 75 miliardë dollarësh.

Sipas komunikatës me shkrim të publikuar nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me bisedën telefonike Erdogan-Trump, dy presidentët kanë arritur konsensusin që të vazhdojnë koordinimin për formimin e një zone sigurie të mundshme në verilindje të Sirisë.

“Dy liderët nënvizuan rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe shqyrtuan shumë çështje me peshë, përfshi këtu Sirinë dhe tregtinë (ndërmjet SHBA-së dhe Turqisë). Presidentët Trump dhe Erdogan gjetën konsensusin që të vazhdojnë koordinimin për formimin e një zone sigurie potenciale në verilindje të Sirisë dhe njoftuan se nënsekretari amerikan i Mbrojtjesm Patrick Shanahan dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-së, gjeneralarmate Joseph Dunford, do të takohen këtë javë në Uashington me homologët e tyre turq për bisedime shtesë rreth këtyre çështjeve”, thuhet në komunikatën e Shtëpisë së Bardhë.



Lajme të ngjashme