OBSH-ja: Turqia, shembullore në menaxhimin e situatave emergjente dhe krizave humanitare

Drejtoresha Rajonale për Evropën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Zsuzsanna Jakab, deklaroi të enjten se Turqia është një shembull shumë i mirë për atë se si duhet të menaxhohen situatat emergjente dhe krizat humanitare.

1145563
OBSH-ja: Turqia, shembullore në menaxhimin e situatave emergjente dhe krizave humanitare

Duke folur gjatë një takimi ministror për gatishmërinë ndaj shëndetit publik dhe planin e veprimit rajonal në rast situatash emergjente në Evropë, organizuar në Stamboll nga Zyrtare Rajonale e OBSH-së për Evropën, Jakab theksoi se çdo vit përballen me rreth 20 mijë kërcënime të shëndetit publik, nga të cilat analizohen gati 2 mijë dhe vërtetohen 40-60 raste.

Ajo shpjegoi se OBSH-ja, në bashkëpunim me partnerët e saj, ndërhyn në të njëjtën kohë ndaj emergjencave në Ukrainën Lindore dhe në Turqi.

“Me këtë rast, përshëndes Turqinë për mikpritjen e gati 4 milionë sirianëve. Numri më i madh i refugjatëve është në Turqi. Falënderoj Ministrinë e Shëndetësisë për qasjen që u mundëson sirianëve në shërbimet shëndetësore. Siç e ka thënë edhe ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, refugjatëve sirianë u ofrohen shërbime shëndetësore në shumë fusha, përfshi këtu edhe programet e vaksinimit, ndërkohë që projekte të reja janë duke u realizuar në këtë fushë”, theksoi drejtoresha Rajonale e OBSH-së për Evropën.

Jakab potencoi se OBSH-ja aspiron të arrijë kapacitetin shëndetësor universal, ndërsa Turqia e ka arritur aktualisht këtë kapacitet universal.

Turqia – shtoi ajo – e aplikon këtë si për qytetarët e saj ashtu edhe për sirianët.

“Unë dua të falënderoj Turqinë në këtë kontekst. Ne e vlerësojmë Turqinë si një model të mirë në shumë aspekte. Ajo është një shembull shumë i mirë për atë se si duhet të menaxhohen situatat emergjente dhe krizat humanitare. Ne u tërheqim vëmendjen edhe vendeve të tjera për këtë çështje në çdo rast gjatë mbledhjeve të komitetit rajonal”, u shpreh zyrtarja e OBSH-së.

Pasi vuri në pah se OBSH-ja ka angazhime për të ardhmen në lidhje me shëndetësinë, Zsuzsanna Jakab tha se janë duke punuar mbi zhvillimin e kapaciteteve shëndetësore të të gjitha vendeve, sidomos për sistemin e paralajmërimit dhe reduktimit të rrezikut në vendet në zhvillim.



Lajme të ngjashme