“Kina të marrë në konsideratë reagimet ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut"

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoy në një komunikatë me shkrim ka kërkuar që Kina të marrë në konsideratë reagimet e Turqisë në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut ndaj turqve ujgurë në Krahinën Autonome Sinkiang.

“Kina të marrë në konsideratë reagimet ndaj shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut"

Turqia i bën apel Republikës Popullore të Kinës të marrë në konsideratë reagimin e Ankarasë ndaj shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Hami Aksoj (Aksoy) bëri të shtunën një komunikatë me shkrim në lidhje me shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që u bëhen turqve ujgurë.

“Praktikat që shkelin të drejtat themelore të njeriut të turqve ujgurë dhe komuniteteve të tjera myslimane në Krahinën Autonome Ujgure të Sinkiangut në Kinë janë rënduar, sidomos në dy vitet e fundit dhe janë zhvendosur në agjendën e bashkësisë ndërkombëtare”,- thotë komunikata.

“Tani nuk është më sekret që më shumë se një milion turq ujgurë të ekspozuar ndaj arrestimeve arbitrare po përballen me tortura dhe shpëlarje politike të trurit në kampet e përqendrimit dhe burgje, ndërsa ata që nuk janë arrestuar dhe vendosur nëpër kampe vazhdojnë të jenë nën presion të madh”,- theksohet në vijim të komunikatës.

"Bashkatdhetarët tanë me origjinë ujgure dhe qytetarët tanë që jetojnë jashtë shtetit (jashtë Kinës) nuk mund të marrin më lajme nga të afërmit e tyre që gjenden në këtë rajon. Me mijëra fëmijë janë ndarë prej prindërve të tyre dhe kanë mbetur jetimë. Dalja në skenë sërish e kampeve të përqendrimit në shekullin 21-të dhe politika sistematike e asimilimit që ndjekin autoritetet kineze kundër turqve ujgurë është një burim i madh turpi për njerëzimin. Ne ua kemi përcjellë në çdo nivel autoriteteve kineze pikëpamjet tona për tragjedinë që po ndodh në Krahinën e Sinkiangut në Kinë”,- vijon komunikata.

“Në një situatë të tillë ne mësuam me hidhërim të thellë lajmin për vdekjen e Abdurrehim Heyit, një rapsod popullor i dënuar me 8 vite burg për shkak të një kompozimi të tij dhe që vdiq në vitin e dytë të vuajtjes së dënimit në burg. Kjo ngjarje e rëndë e ka forcuar edhe më shumë reagimin e publikut turk ndaj shkeljeve serioze të të drejtave të njeriut në Sinkiang. Ne presim që ky reagim i drejtë të merret parasysh nga autoritetet kineze. Ne u bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) që të ndërmarrin hapa të efektshëm për t'i dhënë fund tragjedisë humanitare në Sinkiang”,- përfundon komunikata e shkruar e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy.



Lajme të ngjashme