Çavusoglu: Ka shtete perëndimore që po përpiqen të mbulojnë vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, deklaroi të martën se disa shtete perëndimore po tentojnë të mbulojnë vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Çavusoglu: Ka shtete perëndimore që po përpiqen të mbulojnë vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi

Shefi i diplomacisë turke bëri një vizitë në Kuvendin Rinor të Bashkisë Metropolitane të Stambollit, ku iu drejtua të rinjve të pranishëm.

Ai foli kryesisht për vrasjen barbare të gazetarit Jamal Khashoggi më 2 tetor (2018) në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, si dhe për çështjen e Sirisë.

Duke theksuar se Turqia ka vepruar në mënyrë parimore, të zgjuar dhe strategjike për sa i takon rastit Khashoggi, ministri Çavusoglu bëri me dije se ndërkohë që Ankaraja ka ndarë me të gjithë çdo informacion, dokument dhe provë, përballë shohin një Riad që nuk ndan asnjë lloj informacioni.

“Autorët e krimit janë atje (Arabia Saudite). Po e them shumë qartë dhe pastër: Ka shtete perëndimore që po përpiqen ta mbulojnë këtë ngjarje dhe unë i di arsyet e tyre. I dimë dhe shohim se çfarë marrëveshjesh po lidhen dhe në cilat fusha po bëhen. Po vërejmë se si ata që i mëshojnë lirisë së shtypit, e mbulojnë dhe fshehin këtë rast kur sytë u shohin para. Megjithatë ne po i shkojmë çështjes deri në fund. Tashmë kemi bërë përgatitjet tona për të filluar një hetim ndërkombëtar gjatë ditëve në vijim dhe do të bëjmë hapat e nevojshme. Arabia Saudite u detyrua të pohojë krimin falë strategjisë sonë”, tha ministri i Jashtëm turk.

Çavusoglu u ndal më tej mbi çështjen e Sirisë, ku vuri në pah se të gjithë tentuan të vijnë në rend të ditës duke shfaqur reagime të ndryshme pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga fqinji jugor i Turqisë.

Diplomati më i lartë turk potencoi se politika e vendit të tij për Sirinë është më se e qartë dhe se Ankaraja dëshiron paqe, qetësi, stabilitet dhe zgjidhje politike në këtë shtet, ndërsa SHBA-ja filloi ta zbulojë agjendën reale të saj vetëm pas vendimit të tërheqjes.

“Sot, pas dyerve të mbyllura, kur ata pyeten ‘përse i dilni për zot YPG-së kaq shumë’, përgjigjen duke thënë se ‘e mbështesim atë për arsye se është një organizatë që mund ta përdorim me shumë lehtësi’. Pra, kudo që ka një organizatë të cilën mund ta shfrytëzojnë, ata e përkrahin. Ky është motivi i mbështetjes që perëndimorët i ofrojnë sot YPG-së dhe PKK-së. Kundër kujt do ta përdorin? Sot do ta përdorin kundër nesh, nesër kundër dikujt tjetër”, u shpreh ministri Çavusoglu.



Lajme të ngjashme