Akar: Operacioni në Menbixh do të fillojë kur ti vijë koha

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar në inspektimin që u bëri reparteve në kufi tha se operacioni në Menbixh do të fillojë në kohën e duhur.

Akar: Operacioni në Menbixh do të fillojë kur ti vijë koha
akar hatay zeytin dali1.jpg

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar tha se ushtari turk ashtu si në operacionet e tjera ka shkruar një epope edhe në operacionin “Dega e ullirit”.

Hulusi Akar bashkë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneralarmate Jashar Gyler (Yaşar Güler), Komandantin e Forcave Tokësore gjeneralarmate Ymit Dyndar (Ümit Dündar), Komandantin e Forcave Detare nënadmiralin Adnan Ëzball (Özbal) dhe Komandantin e Forcave Ajrore gjeneralarmate Hasan Kyçykakjyz (Küçükakyüz) kontrolluan dhe inspektuan repartet në provincën kufitare Hatay.

Ministri Akar pati një takim edhe me trupat komando, që kishin marrë pjesë në operacionin “Dega e ullirit”, realizuar kundër objektivave terroriste në Afrin dhe përfunduar me sukses.

Në fjalën që mbajti këtu Akar rikujtoi edhe një herë se ky operacion, i cili filloi më 20 janar të vitit 2018 dhe përfundoi me një sukses të madh më 18 mars (2018), u krye në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, duke mbrojtur të drejtat legjitime të Turqisë, pa i shkelur të drejtat e njeriut, pa u shkaktuar dëme njerëzve të terrorizuar dhe të pafajshëm, pa e dëmtuar mjedisin, historinë dhe objektet fetare të zonës ku u zhvillua operacioni.

“Ashtu si në operacionet e tjera, Ushtari Turk (Mehmetçik) shkroi një epope të madhe edhe në operacionin “Dega e ullirit”, duke siguruar këtu një sukses të madh”,- u tha Akar trupave komando që kishin marrë pjesë në këtë operacion.

"Për momentin si zonë problematike përpara nesh qëndron Menbixhi dhe pjesa lindore e Eufratit",- u shpreh Hulusi Akar, duke shtuar se në lidhje me këtë janë bërë të gjitha përgatitjet dhe planet e nevojshme.

“Kur të vijë koha e duhur, operacioni do të bëhet edhe këtu”,- theksoi Akar.

“Por ndërkohë që vazhdojmë gjithë këto aktivitete, ne respektojmë tërësinë territoriale, integritetin politik edhe të Sirisë, edhe të Irakut, dhe jemi për ruajtjen e integritetit të këtyre vendeve”,- nënvizoi ministri i Mbrojtjes.

Akar: Objektivi ynë janë vetëm terroristët

“Askush nuk duhet të ketë dyshime në atë që synimi ynë janë vetëm terroristët. Vëllezërit tanë kurdë nuk mund të jenë kurrën e kurrës synimi ynë, as që na shkon në mendje një gjë e tillë”,- deklaroi Hulusi Akar.

Duke nënvizuar se përpjekja me terrorizmin do të vazhdojë deri në neutralizimin e terroristit të fundit, ministri Akar tha: “Nuk do të lejojmë kurrë që në kufirin jugor të vendit tonë, në veri të Sirisë, të krijohet një korridor terrorist, i çfarëdo lloji qoftë ai. As që bëhet fjalë të ndodhë një diçka e tillë. Ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë bëjmë të gjitha përpjekjet për mbrojtjen e kufijve dhe të popullit tonë”.

 


Lajme të ngjashme