Akar: Lufta kundër terrorizmit vijon me vendosmëri brenda dhe jashtë shtetit

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare të Turqisë, Hulusi Akar, deklaroi të hënën se lufta kundër terrorizmit vijon me vendosmëri brenda dhe jashtë shtetit.

Akar: Lufta kundër terrorizmit vijon me vendosmëri brenda dhe jashtë shtetit

I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralarmate Yasar Guler, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneralarmate Umit Dundar, komandanti i Forcave Detare, nënadmirali Adnan Ozbal dhe komandanti i Forcave Ajrore, gjeneralarmate Hasan Kuçukakyuz, ministri Akar realizoi një takim me studentët e Akademisë Ushtarake të Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare në Ankara.

“Në hapësirat gjeografike pranë nesh ka luftime, konflikte serioze. Këto prodhojnë rreziqe, kërcënime dhe shqetësime mjaft serioze për vendin tonë. Si shtet i Republikës së Turqisë, ne kemi bërë plane dhe projekte të çdollojshme me sa kemi pasur mundësi për t’i eliminuar këto rreziqe dhe kërcënime. Po bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të eliminuar rreziqet, kërcënimet dhe shqetësimet në fjalë, si dhe për të garantuar unitetin, integritetin dhe sigurinë e vendit tonë”, u shpreh ai në fjalën e rastit.

Ish-ushtaraku më i lartë turk theksoi gjithashtu se lufta antiterrorizëm po vijon me vendosmëri brenda dhe jashtë shtetit kundër çdo grupi terrorist pa dallim, duke filluar nga organizata terroriste gyleniste (FETO) e deri tek ato PKK, YPG, PYD, SDG dhe DAESH.

“Sikurse në të kaluarën, edhe sot ne do të vazhdojmë të punojmë sup më sup së bashku me të gjitha institucionet e vendit për t’i bërë forcat tona të armatosura sa më efektive, parandaluese dhe të respektuara, si dhe për ta ngritur përherë e më lartë këtë nivel. Kjo nevojë s’ka të bëjë vetëm me kërcënimet dhe rreziqet me të cilat ballafaqohemi sot, por njëherësh edhe me të ardhmen, përjetësinë e vendit tonë dhe gjeneratat e ardhshme. Një ushtri e pajisur me teknologji luftarake të sofistikuara është e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Pasi sado moderne të jenë mjetet dhe pajisjet tuaja, i rëndësishëm këtu është personeli që do t’i përdorë ato. Është shumë e rëndësishme për ne që të trajnojmë personelin që do të komandojë, udhëheqë dhe administrojë Forcat e Armatosura të Turqisë”, vijoi ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare.

“PKK-ja s’ka asnjë dallim nga YPG-ja. PKK-ja është e barabartë me YPG-në. Kjo është e padiskutueshme dhe duhet të dihet mirë nga të gjithë. Provat, fotografitë, të dhënat dhe dokumentet e kësaj janë gjithandej. Ky është një realitet që mund të kuptohet lehtësisht nga kushdo që ka dëshirë ta kuptojë”, tha Hulusi Akar mes të tjerash.



Lajme të ngjashme