“Turqia i përmbush përgjegjësitë për të siguruar jetën dhe pronën e kurdëve të Sirisë''

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve pas takimit me delegacionin amerikan të kryesuar nga John Bolton, Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën tha se Turqia po i përmbush përgjegjësitë e saj për të siguruar jetën dhe pronën e kurdëve të Sirisë.

“Turqia i përmbush përgjegjësitë për të siguruar jetën dhe pronën e kurdëve të Sirisë''

Zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, Ibrahim Kallën (Ibrahim Kalin) theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) nuk duhet të ngatërrojnë organizatën terroriste YPG/PYD/PKK me kurdët e Sirisë.

Këto deklarata zëdhënësi Kallën i bëri në një konferencë shtypi që organizoi pas takimit që u mbajt të martën në Kompleksin Presidencial në Ankara me delegacionin amerikan të kryesuar nga Këshilltar i Shtëpisë së Bardhës për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.

Kallën theksoi se me delegacionin amerikan kishin biseduar në mënyrë të detajuar se si do të përparojë procesi i tërheqjes së trupave amerikane nga Siria.

“Çfarë lloj strukture do të mbetet në rajon pas tërheqjes (amerikane); çfarë do të bëhet, sidomos me armët e rënda që janë shpërndarë këtu (nga ShBA-ja për organizatën separatiste terroriste YPG/PYD/PKK); cili do të jetë fati i bazave ushtarake amerikane dhe i qendrave të logjistikës; të gjitha këto janë çështje që duhen sqaruar. Në takimin që patëm me delegacionin amerikan i diskutuam në detaje të gjitha këto çështje”, sqaroi Kallën.

Zëdhënësi i presidencës theksoi edhe një herë se terroristët e YPG/PYD/PKK-së nuk mund të jenë përfaqësuesit e kurdëve.

“Ne reaguam ndaj ngatërrimit të kurdëve sirianë me YPG/PYD/PKK-në. Mbështetja për YPG/PYD/PKK-në vazhdon të mbetet një problem për administratën e Presidentit të ShBA-së, Donald Trump. Ne nuk duhet të lejojmë që procesi i tërheqjes të krijojë mundësi të reja për organizatat terroriste ose elementë të tjerë, përfshirë edhe YPG/PYD/PKK-në. Pozicioni ynë mbi YPG/PYD/PKK është i qartë. Udhërrëfyesi i Menbixhit duhet të zbatohet siç është rënë dakord. Turqia po i përbush dhe do të vazhdojë ti përmbushë përgjegjësitë e saj që të mos i preket jeta dhe dëmtohet pasuria asnjë civili në Siri, duke përfshirë këtu edhe kurdët”,- deklaroi Kallën.

Zëdhënësi vlerësoi edhe pretendimet kinse Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) kishte refuzuar kërkesën e Boltonit për takim.

"Për Boltonin nuk ka pasur një takim të konfirmuar nga Presidenti ynë. Dihet se kush është bashkëbiseduesi (për nga niveli) i Boltonit. Nuk do të ishte e drejtë nëse e vlerësojmë këtë si reagim. Deklaratat e Boltonit në Izrael kishin ngjallur reagime. Argumente të tilla “Turqia do të masakrojë kurdët”, janë propagandë e PKK-së”, shtoi ai.

Kallën tha se ai i kishte dhënë Boltonit dy dosje, nga të cilat një kishte qenë në lidhje me krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që ka bërë YPG/PYD/PKK në Siri.

“Ne presim që të gjitha armët (e dhëna nga ShBA) të mblidhen. Ata na komunikuan se kanë punuar në këtë drejtim, por detajet e kësaj do të zbulohen në ditët e ardhshme. (Në lidhje me operacionin ushtarak në Siri) Ne i koordinojmë veprimet me të gjithë, por nuk marrim leje nga askush”,- përfundoi Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën.

 


Lajme të ngjashme