Disa nga zhvillimet më të rëndësishme të vitit 2018 në Turqi dhe botë

Më poshtë vijon një përmbledhje kronologjike e zhvillimeve më të rëndësishme që kanë ndodhur në Turqi dhe botë në vitin 2018:

Zeytin Dalı Harekatı.jpg
Turkiye seçim.jpg
Cumhurbaşkanı Erdoğan İstanbul konuşması seçim 2018.jpg
erdogan ve putin.jpg
kaşıkçı.jpg
Türk Akımı

8 janar 2018

Lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli përmendi për herë të parë “Aleancën Popullore”, ose çështjen e aleancës zgjedhore me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK PARTI). Bahçeli tha se partia e tij (MHP) nuk do të merrte pjesë në garën presidenciale.

20 janar 2018

Forcat e Armatosura Turke (FAT) filluan në Afrin të Sirisë operacionin “Dega e Ullirit”. Këtë emër operacioni e mori për arsye të numrit të madh të ullinjve që gjendeshin në zonën ku ai u zhvillua. Operacioni u realizua nga njësi të ushtrisë turke dhe me mbështetjen e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS). Operacioni zgjati 58 ditë dhe në konfliktet e armatosura me pjesëtarët e organizatës terroriste në këtë operacion ranë dëshmorë 46 ushtarë, kurse 225 ushtarë të tjerë u plagosën. Sipas informacioneve të marra nga Shtabi i Përgjithshëm turk gjatë operacionit “Dega e Ullirit” u neutralizuan 6.603 terroristë.

7 shkurt 2018

Kompania amerikane e prodhimit të anijeve kozmike dhe raketave “SpaceX” dërgoi në hapësirë raketën më të fuqishme të botës “FaiconHeavy”.

4 mars 2018

Ish-agjenti rus, Sergey Skripal (66 vjeç) bashkë me vajzën e tij Yulia u gjetën pa ndjenja në një park në Salisbury të Anglisë. Skripal ishte një nga agjentët e këmbyer mes ShBA-së dhe Rusisë në vitin 2010. Policia angleze deklaroi se ish-agjenti dhe vajza e tij ishin prekur nga një substancë kimike që ndikon në sistemin nervor të njeriut. Kryeministrja britanike, Theresa May tha se kishin dyshime të forta që prapa kësaj ngjarjeje qëndronte Moska dhe dëboi nga Anglia 23 diplomatë rusë, por nuk u mjaftua vetëm me kaq, ajo e ngriti çështjen edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Bashkimit Evropian. Rusia nuk i pranoi akuzat e Londrës dhe si kundërpërgjigje shpalli ‘persona të padëshiruar’ 23 diplomatë anglezë dhe mori vendim për deportimin e tyre. Në samitin e BE-së, 14 vende anëtare morën vendim për të dëbuar diplomatët rusë. ShBA-ja mori vendim për dëbimin e 60 diplomatëve rusë, 48 me detyrë në Uashington dhe 12 në Përfaqësinë e Përhershme të Rusisë në OKB, si dhe mbylli konsullatën ruse ne Seattle.

11 mars 2018

Një avion privat i kopanisë turke “Başaran Holding” u rrëzua në jug të kryeqytetit të Iranit, Teheran, ndërsa ishte nisur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe vazhdonte fluturimin për në Turqi. Të 11 personat që gjendeshin në bord (2 pilote dhe 8 pasagjere) humbën jetën në aksident. Pasagjerët ishin Mina Başaran, vajza e presidentit të kompanisë, Hüseyin Başaran, dhe 7 shoqet e saj, që po ktheheshin nga Festa e Beqarisë.

12 mars 2018

Në Zvicër, Dhoma e Kantoneve, që është dhoma e sipërme e Parlamentit Federal të vendit, nuk i hapi dyert për shkak të mungesës së rendit të ditës. Sipas mediave zvicerane, Kryetarja e kësaj Dhome, Karin Keller-Sutter, vendosi që do të ishte e panevojshme hapja e seancës pas konsultimit me parlamentin. Pasi, kostoja ditore e secilit anëtar të Dhomës së Kantoneve (me 46 anëtarë gjithsej) është 735 franga zvicerane. Është raportuar se parlamenti, i cili gjatë vitit 2018 i mbylli dy herë dyert e tij, ka kursyer kështu 67.000 franga zvicerane.

14 mars 2018

Profesori i njohur i fizikës, Stephen Hawking vdiq në moshën 76-vjeçare në Kembrixh të Anglisë për shkak të sëmundjes së pashërueshme ALS. Shkencëtari britanik nga kjo sëmundje vuante që nga mosha 20 vjeç.

18 mars 2018

Presidenti në detyrë Vladimir Putin fitoi një tjetër mandat gjashtëvjeçar duke marrë 76,69% të votave në zgjedhjet presidenciale të 18 marsit. Ky është mandati i 4-ët i Putinit si President i Rusisë.

7 prill 2018

Regjimi i Esadit ndërmori një sulm me armë kiminë në Gutën Lindore, në periferi të kryeqytetit të vendit, Damask, duke u marrë jetën 78 civilëve.

18 prill 2018

Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK PARTI) dhe Presidenti i vendit, Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) deklaroi se Turqia më 24 qershor do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

27 prill 2018

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un u takua me Presidentin e Koresë së Jugut Moon Jae-in. Takimi u realizua në “Shtëpinë e Paqes” në Korenë e Jugut dhe kjo ishte hera e parë që liderët e dy vendeve takoheshin pas luftës koreane, 1953.

2 maj 2018

Partitë politike CHP, İYİ Parti, SP dhe DP ranë dakord për të shkuar bashkë (krijuar aleancë) në zgjedhjet e parakohshme të 24 qershorit (presidenciale dhe legjislative).

4 maj 2018

Partia Popullore Republikane (CHP) shpalli Muharrem Ince, deputet i Yalova-s, si kandidat të saj për president në zgjedhjet e 24 qershorit.

8 maj 2018

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi tërheqjen e njëanshme të ShBA-së nga marrëveshja nukleare me Iranin dhe dekretoi sanksionet e para kundër qeverisë së Teheranit.

15 maj 2018

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ambasadën në Tel-Aviv e transferuan në Jerusalem, të cilin Izraeli vazhdon ta mbajë të pushtuar. Në protestat, që vazhduan për një kohë të gjatë në kufirin e Gazës kundër hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem, humbën jetën 65 vetë dhe u plagosën mbi 2 mijë e 770 të tjerë.

19 maj 2018

Princ Harry, i 6-ti në radhën e fronit në familjen mbretërore të Anglisë, u martua me aktoren amerikane, Meghan Markle, me të cilën kishte 1,5 vjet fejesë. Kjo është hera e parë që në familje hyn një mulate.

4 qershor 2018

Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) pati në Uashington një takim me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, në të cilin u arrit marrëveshja dhe u miratua edhe një hartë rrugore (udhërrëgyes) për vendosjen e sigurisë dhe stabilitetit në Menbixh të Sirisë. Në mbështetje të udhërrëfyesit, trupat turke dhe ato amerikane realizuan patrullime në terren. Më herët Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin rënë dakord për largimin e YPG/PKK-së nga Menbixhi, provincë në perëndim të lumit Eufrat dhe e pushtuar nga kjo organizatë. Arabët përbëjnë më shumë se 90 për qind të popullatës vendore në Menbixh.

5 qershor 2018

U pranua kërkesa për azil e 2 shtetasve iranianë, të cilët kishin hyrë në Turqi me rrugë të jashtëligjshme dhe pretendonin se do të dënoheshin me varje në qoftë se do të depërtoheshin në vendin e tyre (Iran).

12 qershor 2018

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un u takuan për herë të parë në Singapor. “Procesi i çarmatimit nuklear do të fillojë me shpejtësi”,- u shpreh Trump në këtë samit historik, por ende marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve vazhdojnë të mbeten të tensionuara.

23 qershor 2018

Ekipi i futbollit të Tajlandës, “Moo Pa” (Derrat e Egër) 12 vetë të moshave 11-16 vjeç, bashkë me trajnerin e tyre 25-vjeçarin Ekaphol Chantawong mbetën të bllokuar në shpellën “Tham Luang”, që ndodhet në malin Doi Nang. Pas 12 ditë përpjekjesh fëmijët u nxorën nga shpella me një operacion shpëtimi, ku u mobilizuan edhe organizata ndërkombëtare, por njëri prej palombarëve humbi jetën.

24 qershor 2018

Në Turqi u mbajtën zgjedhjet presidenciale dhe legjislative. Sipas rezultateve të Këshillit të Lartë Zgjedhor (YSK), Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) fitoi zgjedhjet presidenciale me 52,5 për qind të votave duke qenë edhe presidenti i parë i zgjedhur me votim popullor në Sistemin (e ri) të Qeverisë Presidenciale, ndërsa “Aleanca Popullore”, e kryesuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), në zgjedhjet parlamentare fitoi 53,6 për qind të votave.

8 korrik 2018

Në provincën Çorlu të Turqisë ndodhi një aksident hekurudhor, me pasojë 25 të vdekur dhe 300 të plagosur.

20 korrik 2018

Në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve Turqia dhe Holanda morën vendim për të emëruar reciprokisht ambasadorët. Marrëdhëniet ishin tendosur për shkak të qëndrimeve të Holandës, e cila nuk kishte lejuar ministrin e Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) dhe ministren e Familjes (në atë kohë) Fatma Betyl Kaja (Betül Kaya) të takoheshin me zgjedhësit turq që jetojnë në Holandë para referendumit që u mbajt në Turqi për sistemin presidencial. Ndërsa më herët parlamenti holandez kishte miratuar një rezolutë që njeh si ‘gjenocid armen’ ngjarjet e vitit 1915.

23 korrik 2018

Në një deklaratë në median sociale, futbollisti me origjinë turke Mesut Ëzil (Özil) njoftoi fundin e karrierës së tij në ekipin kombëtar të Gjermanisë, me të cilin nga 2009 ka luajtur 92 ndeshje dhe ka shënuar 23 gola. Shkaku i këtij vendimi për Ëzil ishin kritikat në rritje pas publikimit të një fotografie me Presidentin Erdoan. "Nuk mund ta përfaqësoj më Gjermaninë në nivel ndërkombëtar teksa ndjehem i ekspozuar ndaj racizmit dhe mosrespektimit. Fanellën e Gjermanisë e kam veshur me krenari dhe ngazëllim, por tashmë nuk i ndjej më të njëjtat gjëra. Ka qenë e vështirë për ta marrë këtë vendim, sepse kam dhënë gjithçka për shokët e ekipit, trajnerët dhe popullin gjerman. Por fakti që drejtuesit e lartë të Federatës Gjermane të Futbollit nuk respektojnë origjinën time turke dhe më kthyen mua në një mjet të propagandës politike bënë që gjërat të arrijnë deri në një pikë të padurueshme. Për këtë arsye nuk mund të luaj futboll. Nuk mund të rri ashtu kot duke mos bërë asgjë. Diskriminimi është i papranueshëm", kishte shkruar Ëzil.

24 korrik 2018

Si pasojë e zjarrit që ra në pyjet afër Athinës, dhe që më pas i shtyrë nga erërat e forta kërceu edhe në zonat e banuara, humbën jetën të paktën 80 vetë

31 korrik 2018

Në nënprefekturën Jyksekova (Yüksekova) të Hakarit shpërtheu një eksploziv artizanal i vendosur në rrugë nga terroristët e PKK-së. Si pasojë e shpërthimit humbën jetën Nurxhan Karakaja (Nurcan Karakaya) bashkë me djalin e saj 11-muajsh, Mustafa Bedirhan Karaja, e cila po kthehej në shtëpi nga baza ushtarake, ku kishte shkuar për të vizituar bashkëshortin e saj, nënoficer me detyrë në këtë bazë.

1 gusht 2018

Në Danimarkë hyri në fuqi ligji që ndalon mbajtjen e shamisë në hapësira publike. Këtej e tutje gratë që e mbyllin plotësisht fytyrën me burkë ose me perçe do të gjobiten.

10 gusht 2018

Ministri i Thesarit dhe Financave, Berat Allbajrak bëri deklarata të rëndësishme në lidhje me modelin e ri ekonomik të vendit.

17 shtator 2018

Në Soçi të Rusisë Presidenti Erdoan dhe ai rus, Vladimir Putin mbajtën një takim të rëndësishëm për Sirinë. Në takim u ra dakord për çarmatimin e provincës siriane të Idlibit nga armatimi i rëndë. Takimi u përshëndet edhe nga OKB-ja.

27 shtator 2018

Në Arabinë Saudite u publikua dekreti mbretëror që u njeh femrave të drejtën të marrin leje drejtimi për automjete dhe ti përdorin vetëm ato. Në kuadër të reformave të filluara vitin e kaluar për gratë, synohet që raporti i pjesëmarrjes së gruas në biznes nga 22% që është tani, të rritet në 30% deri në vitin 2030.

29 shtator 2018

Ishulli Sulawesi në Indonezi u godit nga një tërmet i madh, i shoqëruar edhe me cunami. Në këtë fatkeqësi natyrore humbën jetën mbi 2 mijë vetë, dhe me mijëra të tjerë mbetën pa strehë.

4 tetor 2018

Humbet kontakti me gazetarin saudit, Jamal Khashoggi pas hyrjes së tij në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll. Televizioni shtetëror saudit njoftoi më pas se Khashoggi kishte vdekur si pasojë e një grindjeje brenda në konsullatë. Kurse Prokuroria e Stambollit deklaroi se Khashoggi ishte mbytur për vdekje sapo kishte hyrë në konsullatë dhe trupi i tij ishte copëtuar dhe zhdukur pa lënë gjurmë. Më vonë në media qarkulluan edhe pamje të ekipit ekzekutues që kishte ardhur nga Arabia Saudite në Stamboll posaçërisht për të vrarë gazetarin e “Washington Post”. Ende edhe sot nuk dihet se ku ndodhet kufoma e tij.

12 tetor 2018

U lirua pastroi amerikan Brunson, i cili ishte arrestuar pas tentativës së grushtit të shtetit të 15 korrikut (2016) me akuza për bashkëpunim me organizata terroriste (FETO dhe PKK). Arrestimi i tij solli tensionimin e marrëdhënieve me ShBA-në, e cila ndërmori edhe disa sanksione kundër Turqisë.

17 tetor 2018

Ndahet nga jeta mjeshtri i fotografisë, Ara Gyler (Güler), i njohur ndryshe si ‘Fotografi i Stambollit’ dhe që të gjithë jetën ia dedikoi fotografisë.

21 tetor 2018

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump tha se vendi i tij do të tërhiqet nga Marrëveshja e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme Veprimi, firmosur me Rusisë në vitin 1987 në Uashington me synimin për të mbrojtur aleatët e Amerikës në Evropë dhe Lindjen e Largët. Marrëveshja u ndalonte Rusisë dhe Amerikës lëshimin, prodhimin dhe testimin e raketave të drejtuara nga toka me një rreze veprimi prej 300-3.400 milje. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë akuzuar shpeshherë Rusinë për shkelje të kësaj marrëveshjeje.

29 tetor 2018

Zgjedhjet presidenciale në Brazil i fitoi kandidati i Partisë Social-Liberale (PSL), Jair Bolsonaro, i ekstremit të djathtë. I njohur edhe si ‘Trump-i i Brazilit’, Bolsonaro para fushatës zgjedhore ishte sulmuar me thikë.

29 tetor 2018

Presidenti Erdoani përuroi me një ceremoni të madhe hapjen e aeroportit të ri të Stambollit, i cili kur të ketë përfunduar plotësisht do të ketë një kapacitet vjetor prej 200 milionë pasagjerë.

6 nëntor 2018

Në zgjedhjet e ndërmjetme që u mbajtën në ShBA, demokratët siguruan shumicën pas 8 vjetëve në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit. Në këto zgjedhje u shënuan edhe disa risi; Jared Polis nga Kolorado hyri në histori si guvernatori i parë homoseksual, kurse Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar u bënë kongresmenet e para myslimane.

9 nëntor 2018

Në zjarret që ranë në pyjet e Kalifornisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) humbën jetën më shumë se 74 vetë. Nga zjarri u prekën edhe vilat e VIP-ve dhe me mijëra shtëpi u bënë shkrumb e hi.

17 nëntor 2018

Në Francë filluan protestat masive kundër rritjes së çmimeve të benzinës dhe naftës me pjesëmarrjen e qindra-mijëra manifestuesve, të njohur ndryshe si “Jelekët e Verdhë”, për shkak të jelekëve fluoreshentë që ata mbajnë veshur. Rreth 43.000 njerëz kanë mbetur të papunë për shkak të këtyre protestave. Protestat u përhapën edhe në disa vende të tjera të BE-së.

19 nëntor 2018

Me një ceremoni organizuar në Stamboll me pjesëmarrjen e Presidentit Erdoan dhe homologut të tij rus zbriti në ujërat e  Detit të Zi tubi i fundit i pjesës nënujore të gazsjellësit ‘Rrjedha Turke’, një gazsjellës që do të transportojë gazin rus në Evropë përmes Detit të Zi dhe Turqisë. Putin tha në këtë ceremoni se gazsjellësi ‘Rrjedha Turke’ do ta bëjë Turqinë një qendër "të rëndësishme" të gazit natyror dhe do të përmirësojë pozicionin e vendit në rajon. Në vitin 2019 tubacioni do të fillojë të sjellë në Turqi 31,5 miliardë metra kub gaz.

25 nëntor 2018

Rusia bllokoi 3 anije të flotës ukrainase, veprim që e shtoi edhe më shumë tensionin ekzistues mes dy vendeve. Parlamenti i Ukrainës miratoi një vendim për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme me afat 30-ditor. U ndalua hyrja në vend e meshkujve rusë nga 16 deri në 60 vjeç.

1 dhjetor 2018

Ndërroi jetë në moshën 94-vjeçare në Teksas Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), George Herbert Walker Bush.

13 dhjetor 2018

Në një aksident hekurudhor në Ankara humbën jetën 9 vetë.

 


Lajme të ngjashme