Çelik: Ministrja izraelite e Drejtësisë s’ka gojë të kritikojë Presidentin Erdogan

“Të lavdërohesh nga dikush që mendon se vrasja e nënave palestineze është legjitime dhe bën thirrje për një masakër të tillë, duhet të jetë torturë për çdo komb”, deklaroi zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik...

1114427
Çelik: Ministrja izraelite e Drejtësisë s’ka gojë të kritikojë Presidentin Erdogan

Zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik, deklaroi të mërkurën në mbrëmje se ministrja izraelite e Drejtësisë s’ka gojë të kritikojë Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Omer Çelik vlerësoi rendin e ditës gjatë një konference për shtyp në selinë e AK Partisë në Ankara.

I pyetur në lidhje me deklaratat që kishin në shënjestër Turqinë dhe Presidentin Erdogan, të bëra nga ministrja e Drejtësisë së Izraelit, Ayelet Shaked, gjatë një prononcimi rreth vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u tërhequr nga Siria, zëdhënësi i forcës politike turke në pushtet u përgjigj me këto fjalë:

“Ministrja e Drejtësisë në fjalë është një person që më parë ka bërë thirrje ‘që të vriten nënat palestineze’. Rrjedhimisht, ajo është në një herezi shpirtërore të tillë. Është domethënëse kur një individ që nxit vrasjen e nënave palestineze, shenjtëron linjën e (organizatave separatiste terroriste) PYD-YPG-SDF në këtë mënyrë.

Ajo e akuzon presidentin tonë si ‘antisemitist’. Presidenti ynë është një prej liderëve që shprehen më shumë kundër antisemitizmit në botë dhe për këtë çështje ka një vend të posaçëm në mesin e liderëve të botës islame. Ai është një kundërshtar i antisemitizmit po aq sa edhe i islamofobisë. Prandaj këtu vërejmë se shprehja ‘antisemitist’ nuk është e drejtë, se është një shtrembërim dhe se kjo përdoret shpeshherë nga politikanë me mentalitet heretik të tillë.”

Çelik theksoi që nëse qëllimi këtu është të paraqiten si një shtet mik i kurdëve, atëherë ky shtet është Republika e Turqisë.

“Pozicioni legjitim i Republikës së Turqisë këtu nuk është antikurdizmi, por antiterrorizmi. Në realitet, paraqitja e simpatisë për organizatat terroriste si simpati për kurdët nga persona si ministrja e Mbrojtjes së Izraelit, është një prej shpifjeve më të mëdha ndaj vëllezërve tanë kurdë në Lindjen e Mesme. Kjo është një pjesë e strategjive të tyre për të mbjellë përçarje ndërmjet popujve.

Ministrja izraelite e Drejtësisë s’ka gojë të kritikojë Presidentin Recep Tayyip Erdogan. Ne i përgjigjemi asaj nga këtu duke thënë se të lavdërohesh nga dikush që mendon se vrasja e nënave palestineze është legjitime dhe bën thirrje për një masakër të tillë, duhet të jetë shpifje dhe torturë për çdo komb”, potencoi ai.

“Të mos përzihet në punë që s’mund t’i përballojë. I rikujtoj asaj edhe këtë princip: Kush flet kuturu, dëgjon fjalë që nuk i pëlqejnë”, shtoi zëdhënësi i AK Partisë.



Lajme të ngjashme