Erdogan: Operacionin ushtarak në Siri do ta bëjmë

Në një deklaratë që bëri të premten pasdite Presidenti Erdoan tha se Turqia do ta realizojë operacionin kundër elementëve të DAESH-it dhe PKK/PYD-së në Siri.

1111354
Erdogan: Operacionin ushtarak në Siri do ta bëjmë

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se Presidenti i Shteteve të Bashkuara (ShBA), Donald Trump e kishte pyetur atë “Nëse mund të pastronin elementët e mbetur të DAESH-it”, dhe pasi kishte marrë përgjigje pozitive (nga Erdoani) kishte urdhëruar tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.

Këto deklarata Presidenti Erdoan i bëri në fjalën që mbajti në ceremoninë e organizuar në Stamboll për shpërndarjen e çmimeve për 500 eksportuesit më të mëdhenj të shërbimeve.

Duke iu referuar bisedës telefonike që kishte realizuar me homologun e tij amerikan, Trump, për Sirinë, Erdoani tha: “Në bisedën telefonike që patëm me Zotin Trump, ai na tha; ‘A mund ta spastroni ju këtë rajon nga DAESH-i?’ Kurse ne i thamë: ‘Ne e kemi pastruar deri tani, kështu që e pastrojmë edhe këtej e tutje. Mjafton që të na ofroni mbështetjen e duhur në kontekstin e logjistikës’. Pasta ShBA-ja filloi të tërheqë ushtarët e saj. Tani synimi është vazhdimi i në mënyrë të shëndetshme i këtyre marrëdhënieve diplomatike. Me Ushtrinë e Lirë Siriane dhe ushtrinë tonë (turke) që kemi, ne jemi në gjendje që ashtu siç neutralizuam 3.000 pjesëtarë të DAESH-it në Xherabulus, të neutralizojmë edhe tani të gjitha grupet terroriste të PKK-së, PYD-së dhe YPG-së”.  

Ndërsa për operacionin në lindje të (lumit) Eufratit, kreu i Shtetit Turk bëri këtë vlerësim: "Biseda telefonike me Zotin Trump dhe deklaratat që erdhën më pas nga ShBA-ja na shtynë që të presim edhe për pak kohë, që natyrisht ky proces nuk do të jetë një proces i pafund pritjeje”.

Dua të bëj të ditur se në muajt e ardhshëm do të ndjekim një stil operacioni, me të cilin do të eliminohen edhe elementët e PKK/PYD-së, edhe elementët e DAESH-it që kanë mbetur brenda Sirisë”,- deklaroi Erdoan.

“Më në fund, para disa ditëve arritëm që të dëgjojmë nga administrata Amerikane deklaratat më të qarta dhe më optimiste në lidhje me këtë çështje. Të parët tanë thonë që “Kush është djegur nga qumështi, i fryn edhe kosit”. Kështu që edhe ne duke u nisur nga përvoja e hidhur që kemi pasur në të kaluarën i mirëpresim këto deklarata (të ShBA-së për tërheqjen), por i vlerësojmë ato me rezerva”, përfundoi Presidenti Erdoan.



Lajme të ngjashme