Erdogan: Dihen autorët e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi

"Dihen autorët e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi", deklaroi të premten Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan...

1106803
Erdogan: Dihen autorët e vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të premten se dihen kush janë autorët e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Kreu i shtetit turk u prononcua në lidhje me vrasjen e Khashoggit gjatë fjalës së rastit në Konferencën 1. Gjyqësore të Gjykatave Kushtetuese dhe të Larta të Shteteve Anëtare/Vëzhguese të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI).

Erdogani tha se vrasja e Jamal Khashoggit në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll nuk është një çështje që mund të injorohet, pasi kjo është realisht një çështje e hapur me të gjitha dimensionet e saj.

Ai theksoi se vendi i krimit dihet, sikurse dihet që autori i tij është në mesin e 15 personave që erdhën në Turqi nga Arabia Saudite.

“Neve u pyetëm një gjë autoriteteve që na dërguan: Autori është në mesin e këtyre 15 personave. Ju e dini se kush është ky autor dhe, nëse nuk e dini, jeni gjithashtu të aftë për ta zbuluar. Përgjigjja që na dhanë është kjo: ‘Aktualisht kemi arrestuar 18 persona’. Ndërsa më pas këtë shifër e rritën në 22”, u shpreh Erdogani.

Lideri turk saktësoi gjithashtu se nga audioregjistrimet gjatë kryerjes së krimit është zbuluar që në mesin e personave të ardhur nga Arabia Saudite, rol aktiv kanë marrë veçanërisht ata që janë më pranë trashëgimtarit të kurorës saudite.

Duke u ndalur edhe mbi takimin e prokurorit të përgjithshëm saudit me homologun e tij turk dhe prokurorin e Stambollit, Erdogani tha: “Erdhi dhe u takuan, por vetëm sa i zvarriti gjërat. Nuk i dha prokurorit të Stambollit asnjë informacion, asnjë dokument; ndërkohë që prokurori i Stambollit i dha atij çdo informacion të nevojshëm.”

Për fat të keq – vijoi kreu i shtetit turk – disa qarqe dhe shtete nga bota islame nuk thonë të vërtetë dhe s’veprojnë me drejtësi për sa i takon vrasjes së Khashoggit.

“Megjithatë drejtësia do të vendoset. Besoj se i keni dëgjuar edhe zhvillimet e djeshme në Senatin e SHBA-së. Këto do të vazhdojnë duke avancuar edhe më tej. Përse? Sepse ne u kemi dhënë amerikanëve, agjencisë së inteligjencës dhe autoriteteve të tyre të gjitha informacionet. Na i kërkuan britanikët, edhe atyre ua dhamë. Na i kërkuan gjermanët, edhe atyre ua dhamë. Ua dhamë këto informacione gjithashtu sauditëve e francezëve. U thamë që jemi gati t’ua japin këto informacione kujtdo që na i kërkon. Pse? Ua dhamë që drejtësia të vendoset. Dalëngadalë po del në pah edhe se deri ku do të zgjatet kjo çështje. Ja, në Kombet e Bashkuara, përfaqësuesja e përhershme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nikki Haley, bëri një deklaratë. Ajo përmendi haptazi një emër dhe kjo tregon se misteri po zbardhet plotësisht”, theksoi Presidenti Erdogan mes të tjerash.

Më datë 2 tetor 2018, gazetari saudit, Jamal Khashoggi, u vra egërsisht në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të vendit të tij në Stamboll, ku shkoi për të kryer procedurat e celebrimit me të fejuarën e tij turke, Hatice Cengiz.



Lajme të ngjashme