Turqia e pakënaqur nga bashkëpunimi i A.Saudite për Khashoggi

Ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gyl (Gül) tha se nga Arabia Saudite nuk kanë parë një qëndrim konstruktiv lidhur me zbardhjen e vrasjes së Jamal Khashoggi.

Turqia e pakënaqur nga bashkëpunimi i A.Saudite për Khashoggi

Ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gyl (Gül) tha se nga Arabia Saudite nuk kanë parë një qëndrim konstruktiv lidhur me zbardhjen e vrasjes së Jamal Khashoggi, duke paralajmëruar se do të punojnë për t’ia arritur këtij përfundimi nëpërmjet bashkësisë ndërkombëtare.

Në vlerësimin që i bëri refuzimit nga Arabia Saudite të kërkesës së Ankarasë për ekstradimin e të dyshuarve në rastin Khashoggi, ministri Gyl tha se Turqia kërkesën e kishte bërë sipas kuadrit ligjor.

“Pala saudite duhet të jetë konstruktive në këtë çështje. Por ne deri tani nuk kemi parë një qasje të tillë. Për këtë arsye ne do të përpiqemi që të marrim rezultat me bashkësinë ndërkombëtare”,- u shpreh Abdulhamit Gyl, duke shtuar se për zbardhjen e ngjarjes ka nevojë që si bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe Arabia Saudite të bashkëpunojnë me Turqinë.

Ministri Gyl theksoi se Arabia Saudite pengon edhe përpjekjet për gjetjen e kufomës së Khashoggit.

“Vrasja e Khashoggit është një krim makabër që nuk do të mbulohet dot kurrë. Që në fillim Turqia po e heton rastin me përpikëri. Për sa i takon zbardhjes së çështjes, ajo do të marrë dimension ndërkombëtar”,- shtoi ai.

Gazetari saudit Jamal Khashoggi ishte vrarë egërsisht në 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të vendit të tij në Stamboll, ku kishte shkuar për veprimet konsullore për lidhje martese.

 


Lajme të ngjashme