Çavusoglu: Hetimi i Khashoggi do të shkojë deri në fund

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu tha se do ta çojnë deri në fund hetimin që kanë hapur për zbardhjen e vrasjes së ish-gazetarit saudit Jamal Khashoggi.

Çavusoglu: Hetimi i Khashoggi do të shkojë deri në fund

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) mbajti një konferencë shtypi pas takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Në përgjigje të pyetjeve mbi vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili u vra barbarisht më 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, Çavushollu tha: “Hetimi vazhdon, do të shkojmë deri në fund. Nuk do të hezitojmë të kërkojmë edhe një hetim ndërkombëtar, nëse do të përballemi me bllokim të procesit”.

Ministri i Jashtëm turk vlerësoi edhe diskutimet që bëhen për avionët luftarakë të tipit F-35, që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) duhet ti dorëzojnë Turqisë.

“Presidenti amerikan Donald Trump dhe Presidenti ynë (Rexhep Tajip Erdoan) në takimin që patën në Samitin e G20-s në Argjentinë, biseduan edhe për çështjen e avionëve F-35. Çështjen e hapi vet zoti Trump dhe tha se Turqia është një ndër aktorët e rëndësishëm të këtij projekti. Nuk bëhet fjalë për anulim të kontratës, për momentin nuk shikojmë ndonjë problem”.

Duke reaguar ndaj deklaratës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për Sirinë, James Jeffrey, i cili kishte thënë se takimi i Astanës nuk kishte përcaktuar anëtarët e Komisionit Kushtetues të Sirisë, dhe se procesi tani kishte ardhur drejt fundit, shefi i diplomacisë turke tha: “Ajo është një deklaratë shumë fatkeqe. Nuk mendoj të jetë mendimi i vet Jeffrey. Agjenda e vizitës së Jeffrey në Turqi është situata në lindje të Lumit Eufrat”.

Ministri Çavushollu vlerësoi për gazetarët edhe tensionin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

“Anijet e Ukrainës që mbahen peng (nga Rusia në Detin e Zi që nga 25 tetori) bashkë me ekuipazhin e tyre duhet të lirohen. Në Ngushticën e Kerçit kanë të drejta edhe Rusia, edhe Ukraina. Çështja (e ngushticës) duhet koordinuar mirë nga të dyja palët, në mënyrë që të mos kemi më tensione të tilla. Edhe ne si Turqi do të bëjmë atë çfarë na takon për mos përsëritjen e problemit”,- tha Çavushollu.



Lajme të ngjashme