Presidenti Erdogan pritet në Asuncion nga Presidenti i Paraguait

Recep Tayyip Erdogan dhe Zonja e Parë, Emine Erdogan u pritën në Pallatin historik Lopez nga lideri i Paraguait, Mario Abdo Benitez dhe bashkëshortja e tij.

Presidenti Erdogan pritet në Asuncion nga Presidenti i Paraguait

Presidenti Recep Tayyip Erdogan realizoi një vizitë zyrtare në Paraguai.

Recep Tayyip Erdogan dhe Zonja e Parë, Emine Erdogan u pritën në Pallatin historik Lopez nga lideri i Paraguait, Mario Abdo Benitez dhe bashkëshortja e tij.

Pas këndimit të himneve dhe pas ceremonisë zyrtare të pritjes, Presidentët Erdogan dhe Benitez kaluan në Pallatin Lopez ku zhvilluan një takim kokë më kokë.

Para kalimit në takim mes delegacioneve Presidenti Erdogan u dekorua me medaljen e Urdhrit të Shtetit.

Gjatë takimit mes delegacioneve Presidentët Erdogan dhe Benitez theksuan se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve vijnë duke u forcuar çdo herë e më shumë.

Në fund të takimit mes liderëve në Pallatin Lopez në kryeqytetin Asuncion të Paraguait u publikua një komunikatë e përbashkët për shtyp.

Në komunikatë Presidenti Benitez vuri në dukje se për herë të parë nga Turqia është duke u zhvilluar një vizitë në nivel të Presidentit në vendin e tij.

“Presidentët theksojnë se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve çdo herë vijnë duke u forcuar dhe shprehet kënaqësia nga hapja reciproke e përfaqësive diplomatike në Ankara dhe Asuncion dhe në këtë kontekst nga forcimi i marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve me emërimin e Armagan Inci Ersoy si ambasadore e parë e Turqisë në Paraguai”, thuhet ndër të tjera në komunikatë, ndërsa shtohet se Presidentët Erdogan dhe Benitez kanë biseduar edhe në lidhje me çështjet që janë në rendin e ditës të marrëdhënieve dypalëshe.

Në mes tjerash thuhet se është arritur në konsensus në lidhje me nënshkrimin sa më parë të marrëveshjeve kornizë të bashkëpunimit në fushat e arsimit, kulturës, shkencës, teknologjisë, të rinisë dhe sportit si dhe e Memorandumit të Mirëkuptimit për Bashkëpunimin në Arsimin Diplomatik, ndërsa bëhet e ditur se liderët ishin të mendimit të njëjtë për rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve dypalëshe tregtare dhe për rritjen e investimeve reciproke.

“Liderët ishin të mendimit që mbledhja e parë e Komisionit të Përzier Ekonomik, që u formua në kuadër të marrëveshjes për bashkëpunim tregtar dypalësh, të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2019”, u tha në komunikatë, ndërsa shtohet se të dy presidentët vënë theksin në rëndësinë e luftës kundër terrorizmit, që ndodhet në rendin e ditës globale dhe me të cilin ballafaqohen rajonet e dy vendeve si dhe bashkëpunim i gjithanshëm në luftën kundër krimeve transnacionale.   

Me përfundimin e takimit kreu i shtetit turk dhe delegacioni që e shoqëronte u largua nga Pallati Lopez.

Ndërkohë Erdogan përshëndeti dhe bisedoi me qytetarët turq që jetojnë në këtë vend, të cilët e prisnin para pallatit.

 


Lajme të ngjashme