SHBA – Pentagoni: Turqia një aktore kritike në luftën kundër të gjitha grupeve terroriste

Një raport i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar edhe një tjetër herë se Turqia është një aktore kritike në luftën kundër grupeve terroriste të çdollojshme...

SHBA – Pentagoni: Turqia një aktore kritike në luftën kundër të gjitha grupeve terroriste

Një raport i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka theksuar edhe një tjetër herë se Turqia është një aktore kritike në luftën kundër grupeve terroriste të çdollojshme.

Janë zbuluar detajet e raportit që vlerëson në mënyrë gjithëpërfshirëse situatën aktuale të marrëdhënieve turko-amerikane, një dokument strategjik ky që i është paraqitur Kongresit të SHBA-së nga Departamenti i Mbrojtjes (Pentagon) më datë 15 nëntor.

Raporti tërheq vëmendjen se Turqia ka një pozitë gjeostrategjike të jashtëzakonshme në krahun juglindor të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) dhe rrjedhimisht, qoftë edhe vetëm për këtë arsye, SHBA-ja dhe Turqia ndajnë interesa rajonale tepër të rëndësishme.

Sipas këtij dokumenti, Turqia ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe ajo është e gatshme ta përdorë këtë forcë ushtarake për interesat e Aleancës.

Pasi thekson se Turqia, pavarësisht tensionit ndërmjet dy vendeve, është një partnere ushtarake produktive në shumë çështje, përfshi këtu kontributin e saj në baza dhe në misione të NATO-s, raporti i Pentagonit vë në pah se Turqia lejon përdorimin e bazave, porteve dhe ngushticave të saj për operacionet dhe aktivitetet e asistencës logjistike të ushtrisë amerikane.

Ky raport nënvizon gjithashtu se bashkëpunimi i SHBA-së me organizatën separatiste terroriste YPG/PKK dhe mungesa e ekstradimit të kreut të organizatës terroriste gyleniste (FETO) perceptohen nga Turqia si elementë që minojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Në fund, duke potencuar se Ankaraja, si një pjesëmarrëse industriale e rëndësishme në Programin e Avionit Luftarak të Përbashkët (JSF), planifikon të marrë 100 avionë F-35A, raporti i Departamentit amerikan të Mbrojtjes saktëson se Turqia është vendi ku bëhet montazhi dhe kontrolli përfundimtar i motorëve F135 të avionëve F-35 në nivel kombëtar, si dhe qendra rajonale e mirëmbajtjes, riparimit, remontit dhe modifikimit të motorëve në fjalë.



Lajme të ngjashme