Kanada – Senati refuzon të njohë të ashtuquajturin “gjenocidi i Pontit”

Propozimi i paraqitur nga senatori me origjinë greke, Leo Housakos, mori 32 senatorë kundër, 21 vota pro dhe 16 abstenime...

1097310
Kanada – Senati refuzon të njohë të ashtuquajturin “gjenocidi i Pontit”

Senati kanadez refuzoi të martën një mocion për njohjen e të ashtuquajturit “gjenocidi i Pontit”.

Propozimi i paraqitur nga senatori me origjinë greke, Leo Housakos, mori 32 vota kundër, 21 vota pro dhe 16 abstenime.

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë bëri përpjekje diplomatike intensive në Ankara dhe Otavë që ky propozim të hidhej poshtë nga Senati kanadez.

Siç bëjnë të ditur burimet diplomatike nën kushtet e anonimatit, ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, ka biseduar në telefon të hënën me homologen e tij kanadeze, Chrystia Freeland.

Çavusoglu i përcolli bashkëbiseduese ndjeshmërinë e Turqisë mbi çështjen dhe pritjet e saj nga Kanadaja.

Komuniteti turk që jeton në Kanada, gjithashtu reagoi fuqishëm kundër pretendimeve rreth Pontit përmes medias sociale.

Duke qenë se 2019-a konsiderohet si 100-vjetori i të ashtuquajturit “gjenocidi i Pontit” dhe një pikë kthese për pretendimet në lidhje me Pontin, qarqet përkrahëse të tyre kanë intensifikuar përpjekjet për t’u dhënë kuptim dhe dukshmëri pretendimeve të tyre në mënyrë që ato të njihen në arenën ndërkombëtare.

Së fundmi, mocioni për njohjen e të ashtuquajturit “gjenocidi i Pontit”, i cili i qe paraqitur Senatit të Kanadasë edhe në shkurt të vitit 2017, por më pas qe nxjerrë nga agjenda e punimeve falë nismave diplomatike të Ministrisë turke të Punëve të Jashtme, u rikthye në rend të ditës nga senatori Housakos.

Tezat në lidhje me Pontin bazohen mbi pretendimet se ndaj 353 mijë grekëve që jetonin në të ashtuquajturin “rajoni historik i Pontit”, zonë në Detin e Zi të Turqisë së sotme, është ndërmarrë një fushatë spastrimi etnik i qëllimshëm dhe i planifikuar në vitin 1919 dhe se kjo fushatë ka qenë etapa e fundit e “politikës për spastrimin e territoreve osmane nga pakicat jomyslimane”, e cila zbatohej nga qeveria e atëhershme osmane.

Koncepti i pontianizmit u transformua gradualisht në akuza kundër Turqisë, sidomos pas Operacionit të Paqes në Qipro (1974). Pretendimet rreth Pontit, të ndikuara edhe nga struktura demografike, fituan terren veçanërisht në Greqinë e Veriut dhe më pas ia lanë vendin diskursit të pabazë për “gjenocidin e Pontit” si rezultat i përpjekjeve të diasporës greke me origjinë nga Deti i Zi dhe ndërveprimit të saj me qarqet armene.

Pretendimet boshe në fjalë arritën kulmin në vitin 1994, kur Parlamenti grek e njohu 19 majin 1919 si datën e “gjenocidit mbi grekët e Pontit” pas përpjekjeve të ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, Akis Tsochatzopoulos.

Tsochatzopoulos u dënua 20 vjet burg për korrupsion në vitin 2013. Ai u lirua në korrik 2018 për arsye shëndetësore, pasi vuajti 5 vjet heqje lirie.

Në 2015, ministri grek i Arsimit, Nikos Filis, hodhi poshtë pretendimet se turqit kanë kryer gjenocid kundër grekëve të Pontit dhe u mbështet fuqishëm nga disa historianë grekë po ashtu.



Lajme të ngjashme