Përfundon misioni i katërt i patrullimit të përbashkët Turqi-SHBA në Menbixh të Sirisë

Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi përmes llogarisë së saj zyrtare në “Twitter” përfundimin e misionit të katërt të patrullimit të përbashkët me trupat amerikane në Menbixh të Sirisë...

Përfundon misioni i katërt i patrullimit të përbashkët Turqi-SHBA në Menbixh të Sirisë

Forcat e Armatosura të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës realizuan të hënën misionin e katërt të patrullimit të përbashkët në kuadër të udhërrëfyesit për Menbixhin.

Ministria turke e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi përmes llogarisë së saj zyrtare në “Twitter” përfundimin e misionit të katërt të patrullimit të përbashkët me trupat amerikane në Menbixh të Sirisë.

Aktiviteti i trupave turke dhe amerikane u zhvillua përgjatë rrjedhës së përroit Saju, i cili ndan vijën e frontit të Menbixhit nga qyteza Jarabulus në zonën e operacionit antiterrorist turk “Mburoja e Eufratit”.

Njësitë ushtarake nga të dyja vendet realizuan misionin e parë të patrullimit të përbashkët më datë 1 nëntor dhe të dytin më 8 nëntor.

Turqia dhe SHBA-ja ranë dakord më 4 qershor për tërheqjen e organizatës terroriste YPG/PKK nga qyteti verior sirian i Menbixhit, në perëndim të lumit Eufrat, të cilin e mban të pushtuar që prej largimit të terroristëve të DAESH-it.

Udhërrëfyesi parashikon përmbylljen e patrullimeve të përbashkëta turko-amerikane brenda 3 muajve të parë duke filluar që data 4 qershor, pastaj nxjerrjen e plotë të terroristëve të YPG/PKK-së jashtë zonës duke përfshirë edhe ata në qendër të qytetit, ndërsa në fund ristrukturimin e kuvendeve ushtarake dhe civile në qendër të Menbixhit.

Por pala amerikane shkaktoi një vonesë të gjatë që në fazën fillestare të udhërrëfyesit duke parashtruar një sërë justifikimesh teknike.

Ndërsa më datë 2 nëntor, trupat amerikane filluan patrullimin edhe me organizatën terroriste YPG/PKK përgjatë kufijve verilindorë të Sirisë.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pati reaguar në lidhje me patrullimin e përbashkët të SHBA-së me YPG/PKK-në duke thënë se “kjo situatë është e papranueshme dhe do të shkaktojë zhvillime negative mjaft serioze në kufi”.



Lajme të ngjashme