MPJ turke: Lirohen reciprokisht disa persona të ndaluar nga grupet opozitare dhe regjimi në Siri

Turqia njoftoi të shtunën se disa persona të ndaluar nga grupet opozitare dhe regjimi në Siri janë liruar në mënyrë të ndërsjellë...

1094461
MPJ turke: Lirohen reciprokisht disa persona të ndaluar nga grupet opozitare dhe regjimi në Siri

Turqia njoftoi të shtunën se disa persona të ndaluar nga grupet opozitare dhe regjimi në Siri janë liruar në mënyrë të ndërsjellë.

Ministria e Punëve të Jashtme në Ankara publikoi një komunikatë me shkrim për lirimin e personave të ndaluar nga grupet opozitare dhe regjimi në Siri.

“Si një projekt pilot i Grupit të Punës për Lirimin e të Ndaluarve, Dorëzimin dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur, i cili u krijua në kuadër të Procesit të Astanës me pjesëmarrjen e Turqisë, Federatës Ruse, Iranit dhe Kombeve të Bashkuara, disa persona të ndaluar nga grupet opozitare dhe regjimi u liruan në mënyrë të ndërsjellë dhe njëkohësisht më 24 nëntor 2018 në rrethin Abu al Zindeen, në jug të Babit të kontrolluar nga opozita.

Duke përbërë një hap të parë të rëndësishëm brenda kontekstit të ndërtimit të besimit midis palëve kontradiktore në Siri, kjo praktikë synohet të vazhdojë me iniciativa të reja”, thuhet në komunikatën e shkruar të MPJ turke.

Nën garancinë e Turqisë dhe Rusisë, regjimi i Esadit dhe opozita ushtarake në Siri liruan një ditë më parë reciprokisht nga 10 persona në Tadif, lokalitet i kontrolluar nga forcat besnike të regjimit në qytezën Bab.

Ky shkëmbim simbolik, i cilësuar si “projekt pilot” nga Grupi i Punës për Lirimin e të Ndaluarve, ishte një prej vendimeve të Mbledhjes 10. të Vendeve Garantuese, mbajtur më 30-31 korrik të këtij viti në Soçi të Rusisë.

Bëhet e ditur se regjimi i Esadit mban peng të paktën 1.500 persona dhe shkëmbimi i ditës së shtunë është një rezultat i hapave të Turqisë në kuadër të aktiviteteve të saj të diplomacisë humanitare.



Lajme të ngjashme