Ankara - Përfundon hetimi për vrasjen e ish-ambasadorit rus, prapa qëndron FETO

Prokuroria e Ankarasë ka përfunduar hetimin për vrasjen e ish-ambasadorit rus në Turqi, Andrey Karlov dhe i ka dërguar Gjykatës aktakuzën me 609 faqe për gjykimin e 28 të dyshuarve, ku bën pjesë edhe kreu i FETO-s, Fetullah Gylen.

Ankara - Përfundon hetimi për vrasjen e ish-ambasadorit rus, prapa qëndron FETO
karlov.jpg
Karlov sokağı Demrede
Karlov soruşturması
andrey karlov ve eşi.jpg
Karlov.jpg

Ka përfunduar hetimi lidhur me vrasjen e ish-ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov, si pasojë e një atentati më 19 dhjetor 2016.

Aktakuza me 609 faqe i është dërguar Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Nr.2 të Ankarasë për të vazhduar procesin e gjykimit të të dyshuarve.

Aktakuza është përgatitur nga prokurori i Zyrës së Hetimit të Krimeve Terroriste dhe Krimit të Organizuar pranë Prokurorisë së Ankarasë, Adem Akënxhë (Akıncı). Në aktakuzë figurojnë si të dyshuar 28 persona, në mesin e tyre edhe lideri i organizatës terroriste FETO, Fetullah Gylen.

Të dyshuarit akuzohen për veprat penale “shkelje të rendit kushtetues”, “anëtarësim në organizatë të armatosur terroriste”, “vrasje me planifikim për qëllime terroriste”, “tentativë për vrasje me dashje për qëllime terroriste” “hapje zjarr me armë për qëllime terroriste për të shkaktuar frikë, shqetësim ose panik” dhe kërkohet nga Gjykata ti dënojë ata me burgim të përjetshëm dhe dënime të tjera në masa të ndryshme me burgim.

Bashkëshortja e Karlovit, Marina Mihaylovna Karlova si dhe të plagosurit në këtë sulm të armatosur Anil Deger, Leyla Gundogan dhe Anastas Zimrikaki në aktakuzë zënë vend si ankues.

Sipas aktakuzës pas atentatit ndaj ish-ambasadorit Karlov qëndron rrjeti terrorist dhe i spiunazhit të FETO-s, i cili është autori i tentativës për grushtin e shtetit më 15 korrik 2016. Atentati ndaj Karlovit karakterizohet si "një akt i llojit të provokimit të marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Rusisë".

Vrasja e Karlovit ishte kryer nga FETO me qëllim për të shkaktuar përplasjen e Rusisë me Turqinë dhe organizata atentatin e kishte planifikuar rreth 6 muaj më parë, thekson aktakuza.

Sipas aktakuzës atentatori Mevlut Altintaş, i cili e kishte marrë urdhrin nga FETO, do të infiltronte sërish si polic i mbrojtjes së afërt në ambientin, ku më 27 qershor 2016 do të organizohej nga Selia e AK PARTI-së Programi i 9-të Tradicional i Iftarit me Ambasadorët, pasi në listën e pjesëmarrësve në këtë program bënte pjesë edhe ish-ambasadori i Rusisë në Ankara në atë kohë, Andrey Karlov.

Për të mos rënë në sy atentatori Altintas në atë program do të vendoste distinktivin që mban personeli i Kryeministrisë, mirëpo atentati kishte dështuar, pasi atë ditë Karlovi ndodhej jashtë shtetit.

Ish-ambasadori i Rusisë në Ankara, Andrey Karlov e kishte humbur jetën më 19 dhjetor 2016 si pasojë e një atentati të kryer ndaj tij nga polici Mevlut Mert Altintas gjatë kohës që ambasadori ishte duke mbajtur fjalën e hapjes së një ekspozite me fotografi organizuar në Galerinë e Arteve Moderne (Çağdaş Sanatlar Merkezi) në Ankara.



Lajme të ngjashme