Çavusoglu në Uashington, me agjendë të rëndësishme dhe të ngjeshur

Në kuadër të takimeve në Uashington, në fillim u takua me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe më pas me Këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, John Bolton.

Çavusoglu në Uashington, me agjendë të rëndësishme dhe të ngjeshur

Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlyt Çavushollu, tha se i dorëzoi Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe Këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton listën me emrat e 84 anëtarëve të organizatës terroriste gyleniste (FETO), për të cilët Turqia kërkon ekstradimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

I ndodhur në Amerikë, Ministri Çavushollu u takua në rezidencën e Ambasadës së Turqisë në Uashington me përfaqësuesit e medias turke.  

Ai tha se me palën amerikane biseduan veçanërisht për FETO-n, mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj organizatës separatiste terroriste YPG/PKK, vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në datën 2 tetor në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll dhe shtoi se zhvilluan takime konstruktive në këtë vend.  

Shefi i diplomacisë turke bëri të ditur se listën me emrat e 84 anëtarëve të FETO-s, për të cilët Turqia kërkon ekstradimin nga Amerika, ia dorëzoi Pompeo dhe Bolton.  

Kurse në lidhje me vrasjen e Khashoggi, Çavushollu tha se qëndrimi i Turqisë është i qartë dhe ripërsëriti se insistojnë në zbardhjen e ngjarjes.

Ai bëri të ditur se në lidhje me këtë krim ka ende pyetje që nuk kanë gjetur përgjigje dhe vijoi duke thënë: “Kërkojmë të bëhet e ditur se kush e dha urdhrin?”.

“Shumë vende nuk dëshirojnë të dëmtojnë marrëdhëniet me Arabinë Saudite, as ne nuk duam, por krimi duhet zbardhur” tha Çavushollu.

Ai u shpreh edhe në lidhje me Sirinë dhe bëri të ditur se, për zbatimin e udhërrëfyesit të Menbixhit edhe në rajonet e tjera, ekipet turke dhe amerikane do të takohen në ditët në vijim.

Shefi i diplomacisë turke bëri të ditur gjithashtu se kanë filluar patrullimet e përbashkëta me njësitë amerikane në Menbixh dhe procesi është përshpejtuar.  

“Deri sa YPG-ja të tërhiqet plotësisht nga Menbixhi dhe pa u dhënë vendimi i përbashkët për udhëheqjen e sigurinë nuk mund të themi se ky proces ka përfunduar” u shpreh Çavushollu.

Ai tha se në kuadër të takimeve në Uashington, në fillim ishte takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo dhe më pas me Këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Bolton.

“Në takimin me Mike Pompeo sigurisht që biseduam se si mund t’i çojmë edhe më përpara marrëdhëniet tona, si mund t’i normalizojmë, cilat janë pritshmëritë tona, folëm për këto tema. Dy prej tyre ishin FETO dhe bashkëpunimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me YPG-në në Siri. Krahas shqetësimeve tona biseduam edhe se çfarë duhet të bëhet në këtë temë” u shpreh ministri i punëve të jashtme.

Ai shpjegoi gjithashtu se në takime u shqyrtuan edhe sanksionet amerikane ndaj Iranit dhe vijoi duke thënë: “Përjashtimi i Turqisë ndaj këtyre sanksioneve është i rëndësishëm por gjithashtu e rëndësishme është që ato të jenë të përhershme dhe me përfshirje të gjerë”.

 


Lajme të ngjashme