Shefi i diplomacisë turke do të takohet të martën me homologun amerikan në Uashington

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë njoftoi të shtunën se do të zhvillojë bisedime me homologun e tij amerikan, Mike Pompeo, të martën e 20 nëntorit në Uashington, për të diskutuar “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve” në përgjithësi...

Shefi i diplomacisë turke do të takohet të martën me homologun amerikan në Uashington

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë njoftoi të shtunën se do të zhvillojë bisedime me homologun e tij amerikan, Mike Pompeo, të martën e 20 nëntorit në Uashington, për të diskutuar “marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve” në përgjithësi.

Deklarata e Mevlut Çavusoglusë erdhi gjatë takimit të tij me qytetarët turq në Konsullatën e Përgjithshme të Turqisë në Nju-Jork.

Çavusoglu mbërriti të shtunën në Nju-Jork për të marrë pjesë në Forumin 8. Global të Aleancës së Qytetërimeve të Kombeve të Bashkuara (UNAOC) mbi partneritetet për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e paqes.

Vizita është e para nga pala turke pas lirimit të priftit amerikan Andrew Brunson, i cili shkaktoi një tension në marrëdhëniet ndërmjet dy aleatëve të NATO-s pas arrestimit dhe burgosjes së tij në Turqi për lidhje me organizatat terroriste.

Kryediplomati turk tha se marrëdhëniet e tensionuara nuk kufizoheshin vetëm me çështjen Brunson.

“Ishin dy çështje që tensionuan marrëdhëniet. Njëra prej tyre është mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për YPG/PKK-në”, tha ministri dhe shtoi se bashkëpunimi amerikan me grupin terrorist ishte një “gabim i rëndë”.

Duke u kthyer te udhërrëfyesi për Menbixhin, miratuar nga të dyja vendet për veriun e Sirisë, Çavusoglu tërhoqi vëmendjen se kjo marrëveshje nuk është e kufizuar vetëm në Menbixh, por përfshin gjithashtu lindjen e Eufratit të pushtuar nga organizata terroriste YPG/PKK.

“Çlirimi i zonës nga grupi terrorist është pjesë e udhërrëfyesit për Menbixhin”, theksoi ministri i Jashtëm turk.

Marrëveshja për Menbixhin ndërmjet Ankarasë dhe Uashingtonit përqendrohet në tërheqjen e terroristëve të YPG/PKK-së nga qyteti për të stabilizuar rajonin, i cili ndodhet në verilindje të provincës veriore siriane të Halepit.

Çavusoglu vuri në pah se Uashingtoni dështoi gjithashtu të përmbushë kërkesën e Turqisë për ekstradimin e udhëheqësit të organizatës terroriste gyleniste (FETO) me bazë në SHBA, pas tentativës së dështuar për grusht shteti të 15 Korrikut 2016, duke e quajtur atë si çështjen e dytë midis dy vendeve.

“Ky ka qenë një shkak serioz i tensionit”, tha Çavusoglu dhe pohoi se Turqia “nuk ka njëqind për qind, por njëmijë për qind” të drejtë në të dyja çështjet.

Ai tha se Zyra Federale e Hetimeve (FBI) në SHBA ka nisur kohët e fundit “hetime gjithëpërfshirëse” për shkeljet e ligjeve amerikane nga FETO-ja.

“FBI-ja ka filluar të shohë se si kjo organizatë i ka shkelur ligjet, ka mashtruar bankat amerikane dhe ka shmangur taksat duke bërë evazion fiskal”, nënvizoi ministri Çavusoglu.

FETO-ja dhe kreu i saj me seli në SHBA, Fetullah Gulen, orkestruan tentativën e dështuar për grusht shteti në Turqi më 15 korrik 2016 duke shkaktuar 251 të martirizuar dhe rreth 2.200 të plagosur.

Ankaraja gjithashtu e akuzon FETO-n për planifikimimin, organizimin dhe implementimin e një fushatë të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Forumi 8. Global i Aleancës së Qytetërimeve do të mbahet në selinë e OKB-së më 19-20 nëntor, nën kujdesin e sekretarit të përgjithshëm Antonio Guterres.

Shefi i diplomacisë turke do të mbajë një fjalim në këtë forum, në kuadër të së cilit do të takohet me kreun e OKB-së, Guterres, si dhe me autoritete të tjera botërore.

Gjatë takimeve të ministrit Çavusoglu parashikohet të merren në shqyrtim çështjet rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët, sidomos marrëdhëniet bilaterale dhe Siria.



Lajme të ngjashme