Çavusoglu përsërit apelin për zbardhjen e rastit Khashoggi

Në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavushollu tha të hënën në Stamboll se rasti duhet të zbardhet nga të gjitha aspektet.

Çavusoglu përsërit apelin për zbardhjen e rastit Khashoggi

Ministri i Punëve të Jashtme Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu) pas konferencës së përbashkët për media me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit Elmar Memmedyarov dhe ministrin e Jashtëm të Gjeorgjisë David Zalkaliani, mbajtur në Zyrën e Presidencës në pallatin historik “Dolmabahçe” në Stamboll, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve

Në përgjigje të një pyetjeje mbi vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ministri Çavushollu tha: "Nga ana jonë hetimi vazhdon duke u thelluar dhe intensifikuar. Ne po bëjmë përpjekje intensive për zbardhjen e vrasjes së planifikuar më parë, në mënyrë që të zbulohen emrat e atyre që kanë ardhur dhe kanë ikur,- që në fakt këta emra dihen,- të atyre që ndodhen pas kësaj ngjarjeje si dhe për zbardhjen e të gjitha anëve të errëta të vrasjes".

“Trupi i Khashoggi-t nuk është gjetur ende. Duke qenë se autorët e krimit momentalisht ndodhen në Arabinë Saudite, atëherë Arabia Saudite ka një përgjegjësi shumë të madhe në këtë çështje. Këtë e shprehu me një gjuhë të qartë në telefon edhe ministri i jashtëm saudit. Gjithashtu edhe kryeprokurori saudit e ka pranuar se kjo është një vrasje e planifikuar më parë. Në fillim u mohuan shumë gjëra, por më pas kanë nisur t’i pranojnë dalëngadalë të gjitha”,- u tha shefi i diplomacisë turke gazetarëve.

"Përgjegjësit e kësaj vrasjeje të planifikuar më parë janë arrestuar në Arabinë Saudite. Ka edhe një hetim që vazhdon të kryhet nga ata. Ne shikojmë edhe frytet e bashkëpunimit dhe ndarjes së informacionit nga kryeprokurorët e dy vendeve në lidhje me rastin. Sigurisht që ky bashkëpunim duhet të vazhdojë, por në të njëjtën kohë nuk duhet të zgjatet dhe zvarritet. Kjo është ajo çfarë duam ne; që rezultatet e këtij hetimi të dalin sa më shpejtë, pasi e gjithë bota është në pritje të kësaj. Të dalin në dritë të gjitha të vërtetat. Në këtë aspekt (të zbardhjes së rastit) vlerësojmë të rëndësishme edhe vizitën e kryeprokurorit saudit në Stamboll. Pas propozimit që erdhi nga ata, ne e pranuam menjëherë këtë bashkëpunim, këtë vizitë, dhe takimi u realizua”.

Gazetari Jamal Khashoggi ishte vrarë brenda Konsullatës së Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll në datën 2 tetor, kur kishte shkuar për disa veprime konsullore.



Lajme të ngjashme