Çavusoglu: Jemi duke bërë përpjekje maksimale për të zbardhur rastin Khashoggi

Ministri Çavusoglu pas konferencës për shtyp të organizuar me homologët e tij azerbajxhanas, Elmar Memmedyarov dhe atë gjeorgjian, David Zalkaliani në zyrën e Presidencës në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll iu përgjigj pyetjeve në interes të gazetarëve.

Çavusoglu: Jemi duke bërë përpjekje maksimale për të zbardhur rastin Khashoggi

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu bëri të ditur se janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.

Ministri Çavusoglu pas konferencës për shtyp të organizuar me homologët e tij azerbajxhanas, Elmar Memmedyarov dhe atë gjeorgjian, David Zalkaliani në zyrën e Presidencës në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll iu përgjigj pyetjeve në interes të gazetarëve.

Në përgjigje të pyetjes në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, ministri Çavusoglu tha se “Hetimet nga ana e jonë vazhdojnë duke u thelluar dhe intensifikuar edhe më shumë. Për zbardhjen e plotë të vrasjes së planifikuar jemi duke bërë përpjekje maksimale për të zbuluar se kush erdhi në Stamboll, megjithëse emrat dihen, dhe kush qëndron prapa kësaj”.

Ministri Çavusoglu gjithashtu tha se në hetimin e kryeprokurorisë ndihmojnë edhe institucionet tjera.

Duke theksuar se ende nuk është gjetur kufoma e Khashoggit, shefi i diplomacisë turke tha: “Pasi që aktorët e vrasjes ndodhen në Arabinë Saudite, këtu përgjegjësi e madhe bie mbi supet e këtij vendi. Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite gjatë bisedës telefonike e theksoi shumë qartë këtë. Edhe kryeprokurori saudit pranon se vrasja ka qenë e planifikuar më herët, fillimisht u mohuan shumë gjëra, por dalëngadalë kanë filluar t’i pohojnë gjërat”.

Çavusoglu shtoi se edhe autoritetet saudite kanë ndaluar përgjegjësit për vrasjen e planifikuar dhe se janë duke zhvilluar hetimet në lidhje me rastin.

“Arabia Saudite ndaloi përgjegjësit e vrasjes së planifikuar. Në këtë drejtim shohim edhe dobinë e shkëmbimit të informatave mes kryeprokurorive të vendeve tona. Ky bashkëpunim duhet të vazhdojë, por nuk duhet që të vonohet. Qëllimi ynë është që ky hetim të përfundojë sa më shpejtë. E gjithë bota pret me kureshtje. Duam që realiteti të zbardhet dhe e vlerësojmë si shumë të rëndësishëm vizitën e kryeprokurorit saudit. Me propozimin e tyre ne pranuam menjëherë këtë bashkëpunim dhe vizitë”, bëri të ditur Çavusoglu.

 


Lajme të ngjashme