Çështja palestineze – Turqia i kërkon Izraelit që të fokusohet në zgjidhjen me dy shtete

Gjatë një prononcimi ekskluziv për Agjencinë Anadolli (AA), ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i kërkoi të mërkurën Izraelit që të fokusohet në zgjidhjen me dy shtete...

1074819
Çështja palestineze – Turqia i kërkon Izraelit që të fokusohet në zgjidhjen me dy shtete

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i kërkoi të mërkurën Izraelit që të fokusohet në zgjidhjen me dy shtete.

Mevlut Çavusoglu vlerësoi çështjen e Palestinës dhe Jerusalemit, në këtë kontekst edhe marrëdhëniet Turqi-Izrael, gjatë një prononcimi ekskluziv për Agjencinë Anadolli (AA).

Ai rikujtoi se ambasadori i Turqisë në Tel-Aviv, Kemal Okem, është thirrur për konsultime në Ankara në muajin maj të këtij viti për shkak të qëndrimit izraelit ndaj palestinezëve, ndërsa vuri në pah se normalizimi i plotë i marrëdhënieve varet nga hapat që do të bëjë Izraeli.

“Izraeli vazhdon të ndërtojë vendbanime ilegale dhe të ndërmarrë hapa negative për sa i takon Jerusalemit. Për fat të keq, Izraeli është inkurajuar më shumë në këtë aspekt edhe pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës transferuan ambasadën e tyre në Jerusalem. Megjithatë Izraeli duhet të fokusohet në zgjidhjen me dy shtete. Kjo është në thelb mjaft e rëndësishme si për të ardhmen e vetë Izraelit ashtu edhe për stabilitetin e rajonit”, deklaroi Çavusoglu.

Shefi i diplomacisë turke theksoi se nuk do të ketë paqe të qëndrueshme në rajon pa zgjidhjen e këtij problemi (pa zgjidhjen me dy shtete).

“Këtë e thonë dhe e pranojnë që të gjithë. Por Izraeli i vazhdon këto hapa të pamatura të tijat. Rrjedhimisht, normalizimi i plotë i marrëdhënieve tona varet nga Izraeli. Qëndrimi ynë në lidhje me këtë çështje është më se i qartë. Sikurse shtymë që të merren vendime me shumicë dërrmuese në dy samitet e Organizatës së Bashkëpunimit Islam në Stamboll dhe përsëri në dy mbledhjet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ne po ndjekim dhe do të ndjekim gjithashtu në çdo rrethanë zbatimin e këtyre vendimeve. Ne do të jemi pranë vëllezërve tanë palestinezë gjithmonë dhe në çdo rrethanë. Kurse për mbrojtjen e statusit të Jerusalemit ne s’do të heshtim kurrë edhe sikur të gjithë të heshtin. Ministri palestinez i Punëve të Jashtme, Riyad al-Maliki, do të vijë (në Turqi) gjatë ditëve në vijim dhe ne do të realizojmë takimin konsultativ ndërmjet nesh dhe Palestinës”, u shpreh ministri Çavusoglu mes të tjerash.



Lajme të ngjashme