Turqia do ta zbardhë vrasjen e gazetarit saudit

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kallën (İbrahim Kalın) tha të hënën se Turqia po i ndërmerr hapat e nevojshëm për zbardhjen e rastit të vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi sipas rregullave juridike ndërkombëtare dhe kombëtare.

Turqia do ta zbardhë vrasjen e gazetarit saudit

Pas mbledhjes së Kabinetit të Qeverisjes Presidencial, zhvilluar të hënën nën drejtimin e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) në Pallatin Presidencial në Ankara, zëdhënësi Kallën mbajti një konferencë shtypi si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

“Vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me Turqinë dhe Arabinë Saudite. Turqia po i ndërmerr hapat e nevojshëm për zbardhjen e rastit të vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi në kuadër të të drejtës ndërkombëtare dhe legjislacionit të saj kombëtar. Çështja ka të bëjë me zbardhjen e një krimi të urryer”,- tha zëdhënësi Kallën.

Turqia po kryen një hetim "të ndjeshëm dhe gjithëpërfshirës" për rastin e gazetarit saudit të “Washington Post”Jamal Khashoggi, i cili ishte zhdukur që kur hyri në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll më 2 tetor për të kryer disa veprime zyrtare.

Më 20 tetor Arabia Saudite kishte deklaruar se Khashoggi kishte vdekur gjatë një sherri brenda Konsullatës.

Në ditën e zhdukjes së Khashoggi, 15 sauditë të tjerë, përfshirë disa zyrtarë, kishin ardhur në Stamboll me dy aeroplanë privatë dhe kishin vizituar Konsullatën, ndërkohë që ai ndodhej ende brenda. Të gjithë individët e identifikuar janë larguar nga Turqia.

Një ekip i përbashkët turko-saudit përfundoi një hetim mbi rastin të enjten, pasi kontrolloi rezidencën e Konsullit të Përgjithshëm si dhe Konsullatën Saudite në Stamboll.

"Qëndrimi i Presidentit tonë [Rexhep Tajip Erdoan] është shumë i qartë që nga fillimi. Asgjë nuk do të mbetet e fshehur në lidhje me këtë incident," shtoi Kallën.

SHBA falënderon Turqinë për marrëveshjen e Sirisë

Kallën u kujtoi gazetarëve se Erdoan dhe Presidenti i ShBA-së, Donald Trump për çështjen Khashoggi, luftën kundër terrorizmit dhe zhvillimet më të fundit në Siri kishin diskutuar në bisedën telefonike që kishin realizuar të dielën.

 

"Trump falënderoi presidentin tonë mbi marrëveshjen e Idlibit [marrëveshja e arritur ndërmjet Turqisë dhe Rusisë më 17 shtator] dhe i tha:" Ju keni ndaluar një fatkeqësi të madhe humanitare nëpërmjet kësaj marrëveshjeje në Idlib, ku jetojnë 3,5 milionë njerëz", sqaroi Kallën.

Në shtator, Erdoan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin ranë dakord për të krijuar një zonë të çmilitarizuar në provincën veriperëndimore Idlib të Sirisë.

Për zhvillimet më të fundit në relacionin Turqi-ShBA, patrullat e përbashkëta në Menbixh të Sirisë, zëdhënësi Kallën tha: "Zyrtarët e amerikanë kanë filluar të ndërmarrin hapa të nevojshëm për ta përshpejtuar procesin. Trajnimi i përbashkët, që vazhdon në [provincën juglindore të Turqisë] Gaziantep, do të përfundojë në ditët në vijim dhe patrullimet e përbashkëta rreth Menbixhit do të fillojnë së shpejti".

Marrëveshja midis Turqisë dhe ShBA-së për Menbixhin fokusohet në tërheqjen e forcave terroriste të YPG/PKK-së nga qyteti në provincën e Halepit, në veri të Sirisë për të stabilizuar rajonin.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK-ja ka marrë 40.000 jetë, duke përfshirë shumë gra dhe fëmijë. Kurse YPG është dega e saj siriane.

Zëdhënësi i Presidencës, Kallën tha gjithashtu se Turqia pret që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) të heqin sanksionet "sa më shpejt që të jetë e mundur" në mënyrë që kjo të kontribuonte në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ai shtoi se disa çështje mbeten ende problem midis Ankarasë dhe Uashingtonit, veçanërisht lufta kundër organizatës terroriste FETO.

Ai tha se Turqia pret që ShBA-ja të ndërmarrë hapa konkrete në lidhje me organizatat terroriste FETO, PYD dhe PKK.

FETO dhe udhëheqësi i saj Fetullah Gulen, që jeton në ShBA, kanë orkestruar përpjekjen e grushtit të dështuar të shtetit në Turqi më 25 korrik 2016, i cili la 251 persona të martirizuar dhe rreth 2.200 të plagosur.

Mesdheut Lindor

Kallën tha se anijet turke për kërkime sizmike që punojnë në Mesdheun Lindor do ti vazhdojnë aktivitetet e tyre në rajon.

Të enjten, një fregatë greke që u përpoq të ndërhynte ndaj anijes turke sizmike “Barbaros Hayrettin Pasha” u bllokua nga marina turke.

Incidenti shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga zyrtarët turq, të cilët e paralajmëruan Greqinë kundër veprimeve të tilla në Detin Mesdhe që do të nxisnin tensione në rajon.

"Turqia nuk do të heqë dorë kurrë nga të drejtat e saj në Mesdheun Lindor të mbrojtura nga e drejta ndërkombëtare," tha Kallën.

Të enjten, ministria e jashtme e Turqisë tha në një deklaratë me shkrim se Ankaraja do të vazhdojë të ushtrojë të drejtat e saj sovrane dhe juridiksionin që rrjedh nga e drejta ndërkombëtare mbi platformën e saj kontinentale dhe i kërkoi Greqisë të heqë dorë nga aktet që do të shkaktonin një përshkallëzim në rajon.



Lajme të ngjashme