Erdogani Mbretit Saudit: Të dyshuarit për rastin Khashoggi ti gjykojmë në Stamboll

Presidenti Erdoan tha të martën se vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi (Konsullatën Saudite në Stamboll), ishte e planifikuar dhe kërkoi që 18 personat e dyshuar për lidhje me vrasjen të gjykohen në Stamboll.

Erdogani Mbretit Saudit: Të dyshuarit për rastin Khashoggi ti gjykojmë në Stamboll

Presidenti dhe njëherësh Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) iu drejtua të martën me një fjalim grupit parlamentar.

Erdoani bëri një vlerësim të gjithanshëm në lidhje me vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, për të cilin ka marrë formë të prerë versioni që ai është vrarë brenda në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

Po ta analizojmë ngjarjen, kuptohet që vrasja është kryer në mënyrë të planifikuar,- u shpreh Erdoan, duke theksuar se para se gazetari Jamal Khashoggi të shkonte në Konsullatë, brenda në godinën e Konsullatës kishte hyrë një ekip prej 15 vetë, i përbërë nga gjeneralë, ekspertë mjekoligjorë dhe punonjës të shërbimit sekret saudit, të cilët kishin ardhur në Stamboll nga Arabia Saudite, pastaj është kryer vrasja dhe më pas janë bërë përpjekje për zhdukjen e provave të krimit.

Në fillim qeveria e Arabisë Saudite i mohoi akuzat për vrasjen e Khashoggi, por më vonë me zbulimin e provave, ata u detyruan që ta pranojnë krimin, tha Presidenti Erdoan dhe shtoi: “Provat tregojnë se Khashoggi është viktimë e një krimi mizor. Fshehja e provave do të lëndonte ndërgjegjen e njerëzimit. Udhëheqja e Arabisë Saudite ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke e pranuar vrasjen”.

“Në bisedën telefonike që pata me Mbretin e Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz, ky më tha se janë kapur të 18 personat e dyshuar për lidhje me rastin dhe përfshirje në vrasje”, u shpreh Erdoan dhe shtoi:

“Nga këtu po bëj një thirrje; thirrja i drejtohet Mbretit dhe drejtuesve të lartë sauditë. Vendi ku ka ndodhur ngjarja është Stambolli, kështu që unë propozoj që 18 të arrestuarit të gjykohen në Stamboll”.

Duke nënvizuar rëndësinë e ndjekjes së një hetimi të tillë kaq kritik nga një trup gjykues i paanshëm dhe i drejtë, për të cilin nuk ekziston as dyshimi më i vogël për lidhje me ngjarjen, Erdoani tha: “Përderisa ky është një krim politik, atëherë duhet që në procesin e hetimit të përfshihen edhe bashkëpunëtorët e krimit në vendet e tjera (nëse ka).

Për pikëpyetjet e shumta mbi vrasjen e gazetarit saudit, Erdoani tha:

“Këta 15 persona përse janë mbledhur në Stamboll ditën që ka ndodhur vrasja? Kush u ka dhënë urdhër atyre për t’u mbledhur atje? Konsullata e Përgjithshme saudite në Stamboll përse nuk është lejuar të kontrollohet menjëherë, por pas kishin kaluar disa ditë? Përse erdhën gjithë ato deklarata kontradiktore, në një kohë që krimi dihej? Përse nuk dihet ende se ku ndodhet kufoma e viktimës? Nëse është e drejtë deklarata që kufoma i është dorëzuar një bashkëpunëtori vendas, kush është ky bashkëpunëtor?

“Askujt të mos i shkojë në mendje se rasti do të mbyllet pa u dhënë përgjigje këtyre pyetjeve. Informacionet që disponojnë agjencitë e sigurisë tregojnë se vrasja ka qenë e planifikuar. Opinioni publik nuk do të kënaqej duke ia hedhur fajin vetëm disa punonjësve të sigurisë dhe inteligjencës. Ndërgjegjja e njerëzimit do të qetësohej vetëm nëse do të kërkohet llogari nga të gjithë, duke filluar që nga ai që e ka dhënë urdhrin, e deri tek ai që e ka zbatuar atë”, përfundoi Erdoan.

 


Lajme të ngjashme