Çavusoglu: E rëndësishme që Riadi e pranoi vrasjen e Khashoggi

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavushollu (Mevlüt Çavuşoğlu), e cilësoi të rëndësishëm faktin që Arabia Saudite, edhe pse me vonesë (20 tetor), e ka pranuar që gazetari Jamal Khashoggi është vrarë.

Çavusoglu: E rëndësishme që Riadi e pranoi vrasjen e Khashoggi

Duke folur në panelin editorial të Agjencisë Anadolli (Anadolu Agency-AA) Çavushollu tha se Turqia do të bashkëpunojë nëse rasti Khashoggi do të hetohet nga OKB apo ndonjë organizatë e gjykatë ndërkombëtare.

“Provat që disponojmë (në lidhje me vrasjen e Khashoggi) nuk ia kemi dhënë ndonjë vendi tjetër, por mes shërbimeve (sekrete) mund të ketë pasur kontakte”, sqaroi Çavushollu.

Në 20 tetor Riadi zyrtar kishte deklaruar se Khashoggi “kishte vdekur si pasojë e një sherri brenda godinës së Konsullatës”, pasi ai kishte hyrë brenda në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll për të kryer veprime zyrtare.

-Marrëdhëniet me Amerikën

Për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) Çavushollu tha se marrëdhëniet me këtë vend nuk janë tensionuar për shkak të pastorit amerikan Andrew Craig Brunson, i cili ishte dënuar me burgim për shkak të lidhjeve me organizatat terroriste dhe që më vonë ishte liruar duke marrë në konsideratë kohën e qëndrimit të tij në paraburgim, por për shkak të mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i japin organizatës separatiste terroriste YPG/PKK dhe për qëndrimin (mbrojtës) ndaj organizatës terroriste FETO.

“Për ne është e papranueshme që një organizatë, e cila ka bërë tentativë për grusht shteti (në 2016) në Turqi të strehohet atje (ShBA). Ajo që duhet të bëjë ShBA-ja tani, është të ndërmarrë hapa konkretë. FBI-ja ka filluar një hetim në lidhje me FETO-n. Një ekip nga FBI-ja dhe Departamenti i Shtetit erdhën në Ankara dhe ne u dhamë atyre të gjitha dokumentet e nevojshme”, tha shefi i diplomacisë turke.

Rusia e shikon YPG-në (zgjatimi sirian i organizatës separatiste terroriste PKK) si një organizatë terroriste,- theksoi Çavushollu dhe shtoi: “Për PKK/YPG-në nuk mund të ketë vend në komisionin që do të krijohet për hartimin e kushtetutës së re të Sirisë”.

Kurse për bisedimet në Qipro, që deri tani nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, Çavushollu tha: “Askush nuk do të ishte në gjendje të pranonte edhe një dështim tjetër. Ne (turqit) nuk mund ta pranojmë aspak një gjë të tillë”.

 


Lajme të ngjashme