Çavusoglu në Kosovë, takohet me autoritetet e larta të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Çavusoglu në Kosovë, takohet me autoritetet e larta të Kosovës

Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlut Çavusoglu, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Në fokus të takimit ishin diskutimet për marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Në takim ishin prezent edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcılar, ambasadorja e Turqisë në Prishtinë, Kıvılcım Kılıç dhe zyrtarë të tjerë.

Ministri Çavusoglu, do të realizojë takim edhe me kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli.

Ai dje është takuar me Pacollin, pas së cilës kanë mbajtur konferencë shtypi të përbashkët.

Duke vënë në dukje se Turqia prej ditës së parë ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, Pacolli tha se “Turqia vazhdon të mbështesë dhe kam marrë garancione që do të mbështesë edhe në të ardhmen Kosovën. Kosova do ta kishte vështirë të ecë me tempon e vet pa mbështetjen e Turqisë”.

Pacolli njoftoi se gjatë takimit kanë biseduar edhe për sfidat që po e presin Kosovën, si dialogu me Serbinë, si dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare, si Interpoli dhe UNESCO.

“Unë homologun e informova edhe për mbarëvajtjen e dialogut, për arritjet që janë bërë deri tani dhe sfidat që na presin. Sigurisht, këtu nuk mungoi edhe një herë premtimi i Turqisë se edhe këtu do të na mbështesë”, tha ai.

Çavusoglu gjithashtu është takuar edhe me presidentin Hashim Thaçi.

Në një komunikatë nga Presidenca e Kosovës thuhet se me këtë rast, Thaçi ka falënderuar ministrin turk për mbështetjen që i ka dhënë popullit dhe shtetit të Kosovës në të gjitha periudhat.

“Në këtë takim është biseduar edhe për mundësinë e rritjes së shkëmbimit tregtar ndërmjet dy vendeve, si një mundësi për dinamizmin e rritjes ekonomike”, njoftoi presidenca.

Presidenti Thaçi më tej ka theksuar se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunim strategjik, duke falenderuar për përkrahjen që Turqia i jep konsolidimit të shtetit të Kosovës në botë.

“Sot Turqia është një mbështetëse besnike e forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si në shtimin e njohjeve ashtu edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Sipas presidentit Thaçi, Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e përhershme që merr nga Turqia në të gjitha fushat. Duke folur për zhvillimet në rajon, Thaçi ka thënë se Kosova po kërkon të arrijë marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila, sipas tij, do të hapë perspektivë evropiane për të dy vendet.

Çavusoglu pritet që sot të vizitojë qytetin e Prizrenit. Anadolu Agency (AA)

 


Lajme të ngjashme