Koment - Festivali i parë teknologjik i Turqisë

Në shtator Turqia mbajti dy aktivitete të rëndësishme në fushën e Mbrojtjes, Hapësirës, Teknologjisë dhe Aeronautikës, “TEKNOFEST ISTANBUL” dhe “ISTANBUL AIRSHOW”.

teknofest  1.jpg
teknofest erdoğan.jpg
TEKNOFEST.jpg
teknofest.jpg
teknofest istanbul.jpg
istanbul teknofest.jpg

Nga Tarkan ZENGİN*

Brenda muajit shtator Turqia realizoi dy aktivitete të rëndësishme në fushën e Mbrojtjes, Hapësirës, Teknologjisë dhe Aeronautikës. Aktiviteti i parë ishte festivali “TEKNOFEST ISTANBUL”, i cili i u zhvillua në datat 20-23 shtator 2018 në aeroportin e 3-të të Stambollit, një nga projektet e rëndësishme të Turqisë. Kurse aktiviteti i dytë ishte “ISTANBUL AIRSHOW”, i cili u realizua në datat 27-30 shtator 2018 në aeroportin ndërkombëtar “Ataturk” të Stambollit. Një nga ambientet ku u mbajtën këto dy aktivitete ishte aeroporti “Ataturk”, i cili do të mbyllet së shpejti, kurse tjetri ishte aeroporti i tretë, që pritet të përurohet brenda këtij muaji. Organizimi i dy aktiviteteve të tilla të rëndësishme me diferencë një javë nga njëri-tjetri është një tregues i arritjeve që ka bërë Turqia në fushën e aeronautikës dhe hapësirës. Shumë shpresëdhënëse ishte në emër të të ardhmes edhe interesi që tregoi populli dhe në veçanti rinia ndaj këtyre aktiviteteve.

Festivali i Aeronautikës, Hapësirës dhe Teknologjisë (TEKNOFEST ISTANBUL) u organizua për herë të parë në Turqi. Festivali u mbajt me nismën e Bashkisë së Metropolit të Stambollit dhe fondacionit “T3 Vakfı”. Kryetari i Bordit të Administruesve të fondacionit “T3”, Selçuk Bayraktar në fjalën që mbajti në hapje të festivalit tha: "Sot është dita që po krijojmë një familje; është dita kur është bërë realitet një ëndërr e jona; sot është një ditë, në të cilën ne ndajmë me qindra-mijëra të rinj vizionin e progresit kombëtar në teknologji; është një ditë që na tregon se tani nuk jemi vetëm në rrugën që kemi nisur”. Qëllimi i themelimit të fondacionit “T3 Vakfı” është që nëpërmjet programit të Bursave të Teknologjisë Kombëtare të sigurojë mbështetje me bursa dhe në kuadër të programit për Ekipet Teknologjike t’u ofrojë mbështetje me pajisje, infrastrukturë, transport dhe konsulencë teknike ekipeve teknologjike të universiteteve. Një nga objektivat kryesore të këtij fondacioni është që deri në vitin 2023 të ketë mbështetur 1001 Ekipe Teknologjike dhe 1001 Iniciativa Teknologjike.

GARA DHE KONKURSE TË SHUMTA NË TEKNOFEST

Pjesëmarrja në festival, ku u ekspozuan shumë mjete dhe produkte, ishte pa pagesë. Qëllimi i organizimit të një festivali të tillë është ngjallja e interesit dhe krijimi i sensibilizimit në mbarë vendin në lidhje me çështjet e aeronautikës, hapësirës dhe teknologjisë. Festivali vazhdoi për 4 ditë me një pjesëmarrje rekord. Brenda 4 ditëve festivalin e vizituan 550 mijë vetë. Edhe Ministria e Rinisë dhe Sportit siguroi pjesëmarrjen e 10 mijë të rinjve nga 42 provinca të ndryshme të vendit. Në 14 kategori të ndryshme u organizuan gara në fushën e teknologjisë, ndaj të cilave një interes të veçantë treguan të rinjtë e të rejat. Në kuadër të festivalit u organizuan edhe shumë konkurse me projekte inovative. Konkurse Teknologjike në Dobi të Njerëzimit për shkollat 8-vjeçare, të mesme, universitete dhe studimet pas-universitare. Konkursi i Mjeteve Ajrore pa Pilot (Dron) për nivelin e shkollës së mesme, universitetit dhe më lartë. Konkursi i Sistemeve të Telekomanduara Nënujore; Konkursi i Modeleve të Avionëve, Konkursi i Taksisë Robotike, Konkursi Ngadhënjimi Robotik 1453, Konkursi i Raketave, Konkursi i Inteligjencës Artificiale, Konkursi i Mjeteve Tokësore të Telekomanduara me mbështetjen e dronëve. Konkursi i Modeleve Satelitore për universitetet dhe nivelet më të larta të studimeve. Konkursi i Dronëve në Tufë për nivelin e universitetit dhe më lartë. Në këto konkurse teknologjie morën pjesë më shumë se 750 ekipe/grupe dhe më shumë se 2.000 konkurrues. Të rinjtë treguan një sukses të madh në këto konkurse. Interesi që treguan të rinjtë ndaj këtij festivali, i cili u realizua si një nismë për ta shndërruar Turqinë në një shoqëri që prodhon teknologji dhe që prodhon teknologji me mundësitë e saj kombëtare, si dhe suksesi që arritën ata në garat dhe konkurset e organizuara, përbën një zhvillim të rëndësishëm, pasi ky interesim i rinisë do të shërbejnë në përgatitjen e liderëve të ardhshëm që prodhojnë teknologji.

PRODUKTET KOMBËTARE U PANË NGA AFËR

Në festival u bënë gjithashtu edhe demonstrime mahnitëse me produkte vendore dhe kombëtare në fushën e aeronautikës. Qytetarët ndoqën me një interes të veçantë shfaqje të ndryshme që u realizuan në këtë kuadër si: ushtrime akrobatike në ajër me avionë reaktivë të grupit të njohur me emrin “Yjet Turke” (Türk Yıldızları), pilotin “Solo Türk”, skuadrën e parashutistëve, helikopterin “ATAK T-129”, dronin e armatosur “TB2 İHA” dhe pilotin e parë kombëtar dhe profesionist të Turqisë në ushtrimet akrobatike bashkë me vajzën e tij, platforma e tunelit me erë vertikale, e cila u dhuroi të interesuarve eksperiencën e fluturimit të lirë në ajër, Konkursi i Modeleve të Avionëve ndërmjet Shkollave të Mesme të Stambollit. Gjithashtu në kuadër të festivalit u organizuan edhe aktivitete të tjera të rëndësishme si: Kampionati Botëror i Dronëve, Konkursi i Sigurisë Kibernetike “Hack İstanbul”, Samiti i Iniciativës Ndërkombëtare “Take-Off”, “Gara e Garave”, ku morën pjesë 7 automjetet më të shpejta të botës, ushtrime akrobatike mahnitëse me avionë reaktivë, helikopterë; Hackathon-i i udhëtimit i THY, planetaria, hedhjet me parashutë, ekspozita e mjeteve ajrore, praktika simulimi, punëtori (atelie) teknologjike dhe edukative. Vizitorët patën mundësi të shikojnë nga afër edhe një numër të madh mjetesh ajrore për qëllime ushtarake dhe civile, që ishin ekspozuar në kuadër të festivalit. Disa nga këto mjete që panë ata nga afër ishin: droni ANKA, avioni luftarak kombëtar, helikopterët T-625, sateliti Göktürk-2, avioni reaktiv për trajnim dhe mbështetje të afërt “Hürjet”, avioni për trajnim i gjeneratës së re “Hürkuş” dhe helikopterët “Atak”. Në festival u mbajtën edhe seminare, ku ligjërues turq dhe të huaj folën për zhvillimet dhe nevojat që do të kemi në të ardhmen në fushën e teknologjisë.

PRESIDENTI ERDOAN THA MESAZHE TË RËNDËSISHME

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) festivalin TEKNOFEST e vizitori të shtunën, më 22 shtator, bashkë me bashkëshorten Emine Erdoan. Presidenti Erdoan ndau edhe çmimet për pjesëmarrësit e suksesshëm në garat dhe konkurset e realizuara në kuadër të TEKNOFEST. Në fjalimin që mbajti me këtë rast Erdoani dha mesazhe të rëndësishme lidhur me ato që duhet të bëjë Turqia në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë. “Kushti i parë për të qenë sot i pavarur në kuptimin e plotë të fjalës, është që të jesh një vend që projekton, prodhon dhe eksporton teknologji. Ashtu si në çdo inovacion, faza e parë e zhvillimeve në teknologji është ajo e të ëndërruarit. Objektivat tona përtej horizontit, të cilat i quajmë ndryshe edhe ‘Molla e Kuqe’, ne i kemi rinovuar gjithmonë. Sa herë që kemi hequr dorë nga të ëndërruarit, atëherë kemi filluar të mbetemi prapa. Edhe ne, çdo që i kemi sjellë e përfituar Turqisë, e kemi arritur përherë duke vrapuar pas ëndrrave. Koncepti i sigurisë në ditët e sotme ka ndryshuar në masën më të madhe të tij. Tashmë nëse sigurinë tuaj fizike nuk e fortifikoni me siguri kibernetike, me industri digjitale dhe programim kompjuterik vendor, atëherë mashtroni veten tuaj. Ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha punimet që bëhen në drejtim të nismave teknologjike kombëtare. Jemi të vendosur për t’ia hapur edhe më shumë horizontin rinisë tonë. Çdo ngjarje që kemi jetuar vitet e fundit na tregon edhe një herë lidhjen që ekziston ndërmjet pavarësisë dhe teknologjisë dhe në veçanti ndërmjet pavarësisë dhe industrisë së mbrojtjes. Ne duam që pavarësinë tonë ta konsolidojmë duke zhvilluar teknologji vendore dhe kombëtare”, tha Presidenti Erdoan në fjalën që mbajti në TEKNOFEST. Presidenti theksoi edhe një herë se sa e rëndësishme është për të ardhmen e vendit iniciativa në fushën e teknologjisë kombëtare.

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

 


Lajme të ngjashme