Shefi i diplomacisë turke kërkon zgjidhje politike të balancuar në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, bëri thirrje të enjten për një “zgjidhje politike të balancuar” në Siri duke thënë se ngritja e një komiteti kushtetues është “dritarja e shansit të fundit” për paqen...

Shefi i diplomacisë turke kërkon zgjidhje politike të balancuar në Siri

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, bëri thirrje të enjten për një “zgjidhje politike të balancuar” në Siri duke thënë se ngritja e një komiteti kushtetues është “dritarja e shansit të fundit” për paqen.

Kryediplomati turk dhe homologu i tij holandez, Stef Blok, morën pjesë në sesionin special me temë “Transformimi i së ardhmes përmes bashkëpunimit rajonal: Të kërkosh një paqe të drejtë në një botë të fragmentuar”, në kuadër të Forumit të TRT World që organizohet në Stamboll nga Korporata e Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT) me moton “Të përfytyrosh paqen dhe sigurinë në një botë të fragmentuar”.

Mevlut Çavusoglu tha se do të takojë të dërguarin e posaçëm të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Siri, Staffan de Mistura, pas Forumit të TRT World.

“Ai po përpiqet të krijojë një komitet kushtetues (për Sirinë). Janë tre lista të opozitës, regjimit dhe shoqërisë civile dhe duhet të jetë e balancuar. Unë e di që disa vende po përpiqen ta ndryshojnë këtë në favor të regjimit sirian” tha ministri i Jashtëm turk.

Çavusoglu theksoi se një komitet kushtetues është “dritarja e shansit të fundit për zgjidhjen politike në Siri”.

Sipas tij, Turqia luan rol aktiv në parandalimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve duke paraqitur Sirinë si një shembull aktual.

Kurse në lidhje me marrëveshjen Turqi-Rusi për Idlibin, ministri turk tha se memorandumi që nënshkruan me palën ruse për ruajtjen e armëpushimit në Idlib pengoi jo vetëm katastrofën humanitare, por edhe një fluks tjetër emigrantësh në kufirin turk dhe më tej drejt Evropës.

Pas një takimi muajin e kaluar në Soçi të Rusisë ndërmjet Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, Ankaraja dhe Moska ranë dakord të krijojnë një zonë të çmilitarizuar në Idlib, bastioni i fundit i opozitës siriane.

Turqia dhe Rusia gjithashtu nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që bën thirrje për “stabilizimin” e zonës së çtensionimit në Idlib, ku aktet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.

Ministri turk i Punëve të Jashtme u ndal në vazhdim mbi marrëdhëniet me Bashkimin Evropian duke thënë se janë paraqitur mundësi dhe shanse të reja.

“Ka mundësi të reja për të forcuar lidhjet ndërmjet Turqisë dhe BE-së”, deklaroi Çavusoglu.

“Ne kemi mundësi më të mira, më shumë mundësi dhe shanse të reja për të forcuar raportet tona me Bashkimin Evropian dhe me shtetet anëtare të tij, përfshi këtu edhe Holandën. Unë jam shumë i lumtur që ne po normalizojmë marrëdhëniet tona (me Holandën) dhe presim që të bashkëpunojmë në shumë fusha, sidomos në (anti) terrorizëm”, shtoi ai.

Shefi i diplomacisë turke theksoi gjithashtu nevojën për ndarje më të mirë të inteligjencës dhe informacionit për të parandaluar aktet terroriste të huaja.

Gjatë fjalës së tij në Forumin e TRT World, Çavusoglu fshikulloi ksenofobinë, racizmin dhe antisemitizmin.

“Të gjitha këto janë në rritje. Për një multilateralizëm efektiv, ne kemi nevojë për bashkëpunim më të mirë”, tha ai.

“Ne duhet të përqendrohemi në shkaqet rrënjësore të konflikteve. Ndihma humanitare dhe zgjidhja e problemeve të njerëzve, në vendet ku ata jetojnë, është thelbësore. Turqia është shumë e suksesshme në këtë drejtim”, u shpreh Çavusoglu.

Sipas tij, Turqia nuk mund të ulet këmbëkryq dhe të bëjë sehir.

“Politika e jashtme e Turqisë ka një qasje nismëtare dhe humanitare. Ne përpiqemi të luajmë role aktive në promovimin e zgjidhjeve paqësore për konfliktet”, shtoi kryediplomati turk.

Duke rikujtuar apelin e Presidentit Erdogan për “reformë gjithëpërfshirëse” në OKB, Çavusoglu tha se një reformë është e nevojshme në strukturat, metodat e punës dhe rregullat e procedurave, pasi OKB-ja nuk po përmbush pritjet e botës së sotme.

“Paqja dhe prosperiteti nuk mund të vazhdojnë në pjesë specifike të botës teksa pjesa tjetër e saj vuan. Ne duhet të miratojmë një qasje të favorshme që forcon institucionet ndërkombëtare”, tha ai.

Ndërsa ministri holandez i Punëve të Jashtme, Stef Blok, deklaroi në të njëjtin organizim se marrëdhëniet Turqi-Holandë kanë një të kaluar mbi 400-vjeçare.

“Ashtu si çdo marrëdhënie, ne kemi pasur ulje dhe ngritje, por është një marrëdhënie që ka i qëndruar testit të kohës”, shtoi Blok.

 


Lajme të ngjashme