Erdogan paralajmëron referendum për hyrjen e Turqisë në BE

Duke kritikuar sorollatjen që i bën BE-ja Turqisë që nga viti 1963, Presidenti Erdoan tha në forumin “TRT World” në Stamboll se nëse BE-ja vazhdon me këtë logjikë, atëherë edhe neve na duhet të pyesim 81 milionë qytetarët tanë se çfarë mendojnë ata.

Erdogan paralajmëron referendum për hyrjen e Turqisë në BE

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mori pjesë në panelin e fundit me temë “Të kërkosh drejtësi në një botë të fragmentuar” të Forumit të “TRT World” që organizohet në Stamboll nga Korporata e Radios dhe Televizionit të Turqisë (TRT) dhe ku agjencia AA (Anadolu Agency) është partnere e komunikimit global.

I pyetur nëse projektit të BE-së po i afrohet fundi, Erdoani tha: "Edhe unë po i shoh ato shenja."

“Sikur ti afrohej më shpejt, në mënyrë që edhe ne të përcaktojmë drejtimin tonë, mendoj unë”,- u shpreh kreu i shteti turk dhe shtoi:

“Bisedimet i kemi filluar në vitin 1963, sot jemi në 2018-n dhe përsëri vazhdojnë të na sorollatin. Nuk mund të ketë një ‘mizori’ të tillë. Në BE janë anëtarësuar vende që nuk mund të krahasohen në asnjë fushë me ne. Nëse u referohemi Kritereve të Kopenhagës, ne i kemi plotësuar pothuajse të gjitha ato kritere, por vendet që nuk kanë asnjë lidhje me këto kritere, sot janë anëtare të BE-së. Kur vjen puna tek Turqia, na ndalojnë me pretekste të kota. Brenda BE-së nuk duket asnjë shenjë që Turqia ta ketë të hapur rrugën e saj drejt anëtarësimit dhe ndërkohë vazhdojnë ta na japin leksione. ‘Për ju do të veprojmë ndryshe, do të bëjmë një praktikë tjetër’. Na thonë që, ‘Turqinë ta marrim këtu (në BE) me këtë praktikë më ndryshe’. Edhe ne u themi që ‘kjo nuk bëhet’. Në takimet që pata me disa kryetarë të BE-së gjatë vizitës ë fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) u thashë këtë: ‘Ju po më lodhni, edhe unë ju lodh juve. Nëse do të na merrni, na pranoni, nëse jo, na thoni që edhe ne shikojmë punën tonë, edhe ju të shkoni në punën tuaj. Të mos e lodhim kot njëri-tjetrin’. Por këta nuk lodhen as së prituri... Të njëjtën gjë i thashë edhe zonjës Merkel (kancelares gjermane). ‘Nëse nuk do të na merrni, na thoni që ta dimë, në mënyrë që edhe ne të shikojmë punën tonë, edhe ju tuajën. Pra nuk thonë as që nuk do t’ju marrim’.

Presidenti Erdoan iu përgjigj edhe pyetjes: “A ka Turqia ndonjë propozim në drejtim të ruajtjes së integritetit të BE-së?”

“Përse të mos kemi, ne nuk jemi krijuar për të copëtuar Bashkimin Evropian. Sa më e fuqishme që të jetë BE-ja, aq më të fuqishëm do të jemi edhe ne. Ne kemi shumë gjëra me të cilat mund të kontribuojmë në BE, edhe ata mund të kenë shumë gjëra për ne”,- tha Erdoan.

Presidenti Erdoan dha sinjalin e një referendumi, që mund të mbahet në qoftë se BE-ja vazhdon taktikën e sorollatjes në negociatat me Turqinë.

“(BE-ja) nëse vazhdon me këtë logjikë, ajo që na takon neve është natyrisht që të pyesim 81 milionë qytetarët tanë, të shikojmë se çfarë vendimi do të japin ata”,- theksoi Erdoan.

Bisedimet për anëtarësimin e Turqisë në BE u rigjallëruan në 2005, por u zvarritën në 2007 për shkak të kundërshtimit nga administrata grekoqipriote në ishullin e ndarë të Qipros, si dhe kundërshtimeve që erdhën nga Gjermania dhe Franca.

Vitet e fundit, në Turqi janë mbajtur referendume për çështje të tilla të rëndësishme si: zgjedhja e drejtpërdrejtë e presidentit nga populli dhe ndryshimi i sistemit qeveritar.

Për të fituar anëtarësimin në BE, Turqia duhet të mbyllë me sukses negociatat mbi 35 kapituj politikë, të cilët përfshijnë reforma dhe miratimin e standardeve evropiane. Që nga maji i vitit 2016 janë hapur gjithsej 16 kapituj dhe është mbyllur vetëm 1.



Lajme të ngjashme