Turqia kërkon zbatimin e udhërrëfyesit për Menbixhin

Zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin kërkoi të mërkurën në një konferencë shtypi pas mbledhjes së kabinetit presidencial zbatimin e hartës rrugore që është përcaktuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) për qytetin sirian të Menbixhit...

Turqia kërkon zbatimin e udhërrëfyesit për Menbixhin

Pas mbledhjes së kabinetit presidencial, mbajtur të mërkurën në Kompleksin Presidencial nën drejtimin e Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan), zëdhënësi i Presidencës, Ibrahim Kalin bëri deklarata lidhur me mbledhjen si dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.

Në përgjigje të një pyetje mbi situatën e fundit në Menbixh, zëdhënësi Kallën tha: “U ra dakord (me ShBA-në) për një kalendar 90-ditor për zbatimin e hartës rrugore në fjalë”.

Por me keqardhje po shikojmë disa “taktika sorollatëse” në lidhje me këtë çështje, nënvizoi Kalin dhe e vijoi deklaratën e tij kështu: "Ajo që u kemi thënë homologëve tanë amerikanë në të gjitha nivelet (e kontaktit) është se këto taktika vonese tani duhen lënë mënjanë dhe harta rrugore (udhërrëfyesi) e Menbixhit duhet vënë në jetë ashtu siç është planifikuar”.

Duke vënë në dukje se normalisht ky është një proces që duhet të kishte përfunduar shumë kohë më parë zëdhënësi i Presidencës turke tha:

"Ashtu siç e shpreha më lartë, këto afate gjithmonë shtyhen për këtë apo atë arsye. Ne tani duam që kjo të ndalojë. Meqenëse ne do të bëjmë atje (në Menbixh) një punë të përbashkët kundër organizatës terroriste dhe në drejtim të garantimit të sigurisë, atëherë synimet këtu duhet të jenë këto: realizimi i patrullimeve të përbashkëta, vendosja e sigurisë në rajon, krijimi i mundësive në mënyrë që banorët e Menbixhit të rikthehen sa më parë që të jetë e mundur në shtëpitë e tyre. Atëherë le ta bëjmë këtë sa më shpejt. Për ne është e pakuptueshme shtyrja e mëtejshme e kalendarit. Institucionet tona përgjegjëse, në veçanti autoritetet e Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare bisedojnë çdo ditë me homologët e tyre (amerikanë) për këtë çështje, vetëm se kjo taktika e sorollatjes ka nisur me të vërtetë të bëhet një problem në rritje. Me këtë rast unë dua ta jap përsëri këtë mesazh. Tani harta rrugore e Menbixhit duhet zbatuar në çdo nivel sa më shpejt që të jetë e mundur”.



Lajme të ngjashme