Putini lëvdon marrëveshjen turko-ruse të Soçit për provincën Idlib të Sirisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri me dije të mërkurën se po bashkëpunojnë në solidaritet me Turqinë në kuadër të Marrëveshjes së Soçit për ruajtjen e armëpushimit në provincën Idlib të Sirisë...

Putini lëvdon marrëveshjen turko-ruse të Soçit për provincën Idlib të Sirisë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, bëri me dije të mërkurën se po bashkëpunojnë në solidaritet me Turqinë në kuadër të Marrëveshjes së Soçit për ruajtjen e armëpushimit në provincën Idlib të Sirisë.

Shefi i Kremlinit u prononcua rreth situatës në Siri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp që organizoi me Kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz, pas një takimi mes tyre në Muzeun e Ermitazhit në Shën-Petërburg.

Duke folur plot shpresë për aktivizimin e procesit politik në Siri mbi themelin e rezolutës nr. 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe marrëveshjeve të arritura në bisedimet e Astanës, Putini tha se kjo do të përforcojë ndërtimin e kushteve të nevojshme për transicionin dhe rikthimin e jetës normale në Siri.

Ai vuri në pah se gjendja në Idlib ka filluar të normalizohet falë masave të vendosura nga Turqia dhe Rusia.

“Përpjekjet për këtë po avancojnë në drejtimin e duhur. Kam arsye të forta për të besuar se do t’i arrijmë objektivat tona. Atje (në Idlib) s’do të ketë asnjë aktivitet të armatosur me përmasa të mëdha. Sepse nuk duhet bërë luftë vetëm për të luftuar, por duhet të arrijmë objektiva të caktuara. Mjetet që ne kemi zgjedhur për të centruar këto objektiva, janë duke funksionuar në mënyrë efektive aktualisht”, deklaroi kreu i shtetit rus.

Vladimir Putini rikujtoi Marrëveshjen e Soçit për zonën e çmilitarizuar në Idlib, arritur më datë 17 shtator me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ndërsa theksoi se do të vazhdojnë aktivitetet e tyre të planifikuara në këtë zonë, përfshi këtu edhe patrullimet e përbashkëta të Forcave të Armatosura të Turqisë me ndihmën e Policisë Ushtarake të Rusisë.

Sipas tij, ideja për të formuar një zonë të çmilitarizuar në Idlib është hedhur spontanisht dhe drejtpërsëdrejti gjatë takimit të fundit që ai ka realizuar me homologun turk, ndërkohë që të dyja palët kanë përmbushur të gjitha përgjegjësitë përkatëse.

“Ne po bashkëpunojmë në solidaritet me partnerët tanë turq dhe shohim që këto marrëveshje po i marrin shumë seriozisht, po përmbushin të gjitha përgjegjësitë e tyre dhe, sidoqoftë, po ndihmojnë për të mundësuar tërheqjen e grupeve apo militantëve radikalë të ndryshëm dhe armëve të rënda nga kjo zonë. Edhe ne po kryejmë detyrat që na takojnë gjithashtu. Do të vazhdojmë të bëjmë së bashku aktivitetet e planifikuara”, përfundoi kreu i shtetit rus, Vladimir Putin.



Lajme të ngjashme