Erdogan në Nju-Jork: Turqia dhe SHBA-ja do të kapërcejnë “periudhën e turbullt”

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi mbrëmjen e së mërkurës se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kapërcejnë “periudhën e turbullt” aktuale në marrëdhëniet e tyre përmes partneritetit strategjik...

Erdogan në Nju-Jork: Turqia dhe SHBA-ja do të kapërcejnë “periudhën e turbullt”

Presidenti Recep Tayyip Erdogan deklaroi mbrëmjen e së mërkurës se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të kapërcejnë “periudhën e turbullt” aktuale në marrëdhëniet e tyre përmes partneritetit strategjik.

“Partneriteti ynë strategjik, i cili ka kaluar nëpër vështirësi kaq shumë herë, do të kapërcejë këtë periudhë të turbullt”, tha Erdogani gjatë fjalimit të tij në Konferencën 9. të Investimeve të Turqisë, organizuar në Nju-Jork nga Këshilli i Biznesit Turqi-SHBA (TAIK).

Kreu i shtetit turk vuri në pah se mosmarrëveshjet me administratën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, mbi çështje të tilla si organizata terroriste gyleniste (FETO), lufta kundër terrorizmit, Jerusalemi, Siria dhe sanksionet, “po testojnë marrëdhëniet turko-amerikane”.

Ai shprehu bindjen se Turqia dhe SHBA-ja duhet të bëjnë një rrugë të gjatë në marrëdhëniet e tyre, sidomos në lidhje me organizatat terroriste FETO dhe PYD/PKK.

Sipas tij, disa qarqe në administratën Trump pretendojnë se mund t’i sheshojnë divergjencat me Turqinë përmes kërcënimeve, presionit dhe shantazhit.

“Pse SHBA-ja po mbron kreun e FETO-s, Fetullah Gulen? A nuk jemi partnerë strategjikë?”, pyeti Erdogani duke shtuar se organizata terroriste në fjalë është aktive dhe ka shkolla në 27 shtete të SHBA-së.

FETO dhe udhëheqësi i saj në SHBA akuzohen për orkestrimin e tentativës së mposhtur për grusht shteti të 15 Korrikut 2016, si pasojë e të cilës u martirizuan 251 persona dhe u plagosën rreth 2.200 të tjerë.

Ankaraja gjithashtu e akuzon FETO-n për organizim dhe sponsorizim të një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Presidenti turk i bëri një vlerësim edhe marrëdhënieve të SHBA-së me organizatën separatiste terroriste, PKK dhe fraksionin e saj në Siri, PYD-YPG.

Erdogani rikujtoi ndihmat që SHBA-ja bën për organizatën separatiste terroriste, PKK/PYD-YPG.

“Vallë a e dini se sa armë, bomba dhe municione kanë shkuar nga SHBA-ja në veri të Sirisë? Fatkeqësisht, mbi 18.000 mauna. (Nga SHBA-ja terroristëve) u janë dërguar rreth 3.000 avionë transporti me armë dhe municione. Gjithashtu në Siri ka 22 baza. Për kë janë këto? Kur u themi këto gjëra, na trajtojnë ndryshe. Por ne jemi të detyruar t’ua themi. Sepse kush hesht karshi padrejtësisë është shejtanbudalla”, tha ai.

Ndërkaq, kreu i shtetit turk i vlerësoi marrëdhëniet turko-amerikane edhe në aspektin ekonomik.

Presidenti Erdogan bëri me dije se në vitin 2017 vëllimi tregtar ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së ishte mbi 20 miliardë dollarë, eksportet e Turqisë në SHBA ishin 8,7 miliardë dollarë dhe importet nga ky vend 12 miliardë dollarë.

Që nga sot – shtoi ai – investimet e firmave turke në SHBA janë mbi 4,6 miliardë dollarë.

Erdogani tha se Turqia e sheh me shpresë të ardhmen e marrëdhënieve politike dhe ekonomike me SHBA-në, edhe pse Uashingtoni ka vendosur sanksione dhe dyfishuar tarifat doganore mbi importet turke të aluminit dhe çelikut.

Ai potencoi se nuk ka fitues në luftërat tregtare dhe çdo vendim i njëanshëm do të ketë kundërpërgjigje.

Sipas tij, Turqia do të vazhdojë të forcojë mjedisin e investimeve pa kompromentuar rregullat e ekonomisë së tregut të lirë.

“Ne do të vazhdojmë të bëjmë rregullimet e nevojshme ligjore për të tërhequr më shumë investime të drejtpërdrejta dhe për t’u mundësuar investitorëve ndërkombëtarë një mjedis të sigurt investimesh në vendin tonë”, siguroi ai.

Kreu i shtetit turk i ftoi të gjithë investitorët e huaj që të investojnë në vendin e tij.

“Ne i kemi hapur dhe do të vazhdojmë t’i hapim portat tona deri në fund për të gjithë ata që duan të përfitojnë nga shanset e investimit në Turqi”, përfundoi Presidenti Erdogan.



Lajme të ngjashme