Erdogan: Do të vazhdojmë të shtojmë numrin e zonave të sigurisë në Siri

Presidenti Erdogan mori pjesë në një aktivitet të organizuar në qytetin Nju-Jork nga ana Komitetit Drejtues Kombëtar Turko-Amerikan (TASC).

Erdogan: Do të vazhdojmë të shtojmë numrin e zonave të sigurisë në Siri

Presidenti, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se do të vazhdojnë me formimin e zonave të reja të sigurisë në Siri.  

Me të mbërritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth orës 23.00 sipas orës së Turqisë, Presidenti Erdogan mori pjesë në një aktivitet të organizuar në qytetin Nju-Jork nga ana Komitetit Drejtues Kombëtar Turko-Amerikan (TASC), ku iu drejtua me një fjalim komunitetit turk dhe mysliman të ShBA-së.

Duke bërë të ditur se rreth 260 mijë sirianë të strehuar në Turqi janë kthyer në shtëpitë e tyre, Presidenti Erdogan tha: “Ashtu si në krizën e Idlibit ne kemi bërë përpjekje intensive në fushën diplomatike që të mos lëndohet asnjë civilë dhe tani kemi filluar të marrim rezultate”.

“Në dhashtë Zoti gjatë periudhës së ardhshme do të vazhdojmë ta rrisim numrin e zonave të sigurisë në Siri përfshirë edhe zonën lindore të lumit Eufrat. Ne do të vazhdojmë luftën tonë deri sa të marr fund kërcënimi terrorist ndaj vendit tonë dhe deri në asgjësimin e plotë të çetave, të cilat synojnë të ardhmen e Sirisë”, bëri të ditur Erdogan.

Në vijim të fjalës të tij kreu i shtetit turk preku edhe në çështjen palestineze ku tha se “Ne nuk do ta braktisim Jerusalemin që është kibla e parë e jonë, në duart dhe ambiciet e atyre që zbatojnë terror shtetëror ndaj palestinezëve. Lufta jonë diplomatike kundër provokimeve të udhëheqjeve izraelite dhe amerikane, të cilat nëpërkëmbin lavdinë dhe dinjitetin e Jerusalemit, do të vazhdojnë në nivelin më të lartë”.

Ndërkaq në fjalën e tij Erdogan rikujtoi edhe dramën njerëzore të myslimanëve të Arakanit.

“Natyrisht ne e pranojmë detyrimin e organizatave garantuese të paqes dhe stabilitetit global siç është Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Ne dimë që këto organizata, për shkak të natyrës së tyre, në vend të paqes globale të shpeshtën e rasteve punojnë për rruajtjen e interesave të fuqive të caktuara”, shtoi Erdogan.

Në vijim të fjalës së tij Presidenti Erdogan shtoi se “Dallimet sektare dhe etnike nuk do ti shohim si shkak për luftë ose të epërsisë ndaj njëri-tjetrit, por si mishërim i diversitetit dhe pasurisë së umetit. Ne do të kërkojmë mënyra për t'u takuar në emëruesin e përbashkët të njerëzimit pa i përjashtuar pjesëtarët e feve tjera”.

Kreu i shtetit turk gjithashtu shprehu kënaqësinë nga interesimi që tregojnë myslimanët amerikanë kohëve të fundit ndaj politikës dhe zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa vijoi duke thënë se “Besojë që në zgjedhjet e ndërmjetme që do të mbahen në nëntor shumica e vëllezërve tanë do të jenë pjesë e autoriteteve përfaqësuese dhe vendimmarrëse”.

Më pas Presidenti Erdogan mori pjesë në darkën tradicionale të Fondacionit TURKEN.

Këtu ai tha se Fondacioni TURKEN nuk kontribuoi vetëm në iniciativat akademike, sociale dhe mësimore të studentëve të ardhur nga Turqia, por në të njëjtën kohë ka kryer detyrën e një platforme të fortë për forcimin e bashkëpunimeve të organizatave të shoqërive civile turke dhe amerikane.

Gjatë fjalimit të tij ai shtoi se ndjenë keqardhje nga konfliktet vëllazërore dhe të brendshme në territoret islame, ndërsa shtoi se bota islame është duke kaluar nëpër një periudhë shumë të vështirë.

“Njerëzimi dhe vëllazëria jonë po testohet me gjëra të cilave u dëshmojmë çdo ditë. Qytetet e lashta, që me shekuj ishin qendra të diturisë dhe urtësisë, fatkeqësisht sot përmenden për lot dhe gjakderdhje. Biblioteka e famshme e Mosulit, që me shekuj shuante etjen e të pasionuarve pas diturisë, është kthyer në rrënoja me dorën e pushtuesve. Nga biblioteka e Bagdadit ose janë shkatërruar ose vjedhur dhe dërguar jashtë vendit me mijëra libra të rralla. Është shumë e dhimbshme që Halepi, Damasku, Hama, Tripoli, Sana sot ndodhen në rendin e ditës për shkak të luftimeve”, bëri të ditur Erdogan.

“Ata të cilët kritikuan operacionet legjitime të Turqisë kundër terroristëve të DAESH-it dhe PKK-së, nuk hedhin asnjë hap ndaj regjimeve dhe udhëheqjeve që zbatojnë terror shtetëror”, shtoi Erdogan dhe vijoi me këto fjalë: “Ata të cilët me çdo rast kritikojnë vendin tonë, fatkeqësisht heshtin kur bëhet fjalë për Izraelin dhe vrasjet e kryera nga ana e tij”.

Duke vënë në dukje se një indiference të tillë i dëshmojnë gjatë 7 viteve të fundit në Siri, Presidenti Erdogan tha se “Kur fuqitë e mëdha botërore deklarohen për luftëra ata flasin dhe reagojnë vetëm ndaj armëve kimike”.

Në vijim të fjalës së tij Presidenti Erdogan pyeti se “Sa persona kanë humbur jetën nga armët kimike? Shohim se ky numër del në 100, 200, 500, 1000, 5000. Mirëpo sa persona kanë humbur jetën nga armët konvencionale? Me qindra mijëra. Por, nuk kemi dëgjuar që bota është deklaruar kundër atyre që përdorin këto armë apo ndaj vrasjes së qindra mijëra personave në këto territore me armë konvencionale?”

 


Lajme të ngjashme