Turqia shpreson që UEFA të votojë në favor të saj për organizimin e EURO 2024-s

Sipas anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Servet Yardimci, qeveria evropiane e futbollit mund të votojë për një ndryshim dhe të zgjedhë me meritë Turqinë për të organizuar Kampionatin Evropian të Futbollit - Euro 2024...

Turqia shpreson që UEFA të votojë në favor të saj për organizimin e EURO 2024-s

Sipas anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Servet Yardimci, qeveria evropiane e futbollit mund të votojë për një ndryshim dhe të zgjedhë me meritë Turqinë për të organizuar Kampionatin Evropian të Futbollit - Euro 2024.

Komiteti do të takohet në Nion të Zvicrës, më 27 shtator, për të zgjedhur organizatorin e Euro 2024 nga dy vendet kandidate, Turqia dhe Gjermania.

Servet Yardimci, njëherësh zv/president i Federatës Turke të Futbollit (TFF), tha se vendi i tij shpreson që UEFA do të votojë për një ndryshim të këtij turneu për ta kaluar organizimin e tij në një komb të ri si Turqia, në mënyrë që t’i tregohet botës sa me sukses Turqia mund ta realizojë këtë turne.

Duke theksuar se “tani duhet të jetë koha që Turqia të organizojë këtë turne”, ai vuri në pah se kjo është hera e katërt që Turqia ka kërkuar të jetë organizatore e Evropianit të Futbollit.

“Këtë herë ne jemi shumë të përgatitur, sepse në vitin 2010 ne i kemi dorëzuar UEFA-s kërkesën tonë për të pritur Euro 2016-n. Pastaj ne premtuam dhe u zotuam për të pritur Euro 2020-n. Tani kanë kaluar tetë vite. Ne po themi se jemi më shumë se gati, pasi kemi tejkaluar të gjitha premtimet dhe zotimet tona”, deklaroi Yardimci.

Ne - vijoi ai - do të donim një ndryshim, një komb i ri të marrë këtë sfidë siç e pamë në Rusi.

Zv/presidenti i TFF-së e vlerësoi Kupën e Botës 2018 si më të suksesshmen në histori.

“Pse Turqia të mos jetë një vend i ri për t’i treguar botës se ajo mund të realizojë gjithashtu kampionatin më të suksesshëm evropian të futbollit të organizuar ndonjëherë nga UEFA”, u shpreh Yardimci.

Përparësitë gjeografike

Yardimci theksoi pozicionin gjeografik të Turqisë dhe shtoi: “Linjat Ajrore Turke (Turkish Airlines ose THY) janë duke u rritur në mënyrë të suksesshme. Sot, 'Turkish Airlines' fluturon direkt në rreth 200 destinacione. Është linja ajrore më e suksesshme në botë. Turqia në të gjitha aspektet është më se e gatshme për të pritur këtë turne.”

“Tani duhet të jetë koha që Turqia të ketë privilegjin të organizojë këtë turne të madh, në vend që të shkojë në vendet tradicionale evropiane”, nënvizoi ai.

Turqia dhe Gjermania tashmë kanë dorëzuar dosjet e tyre në UEFA dhe komiteti ekzekutiv ka vlerësuar që të dyja së bashku me avantazhet dhe disavantazhet e tyre. Yardimci bëri të ditur se UEFA do të publikojë veprimet e saj të premten e ardhshme.

“Pra, të premten do të dimë se cila dosje ofron mundësinë më të mirë”, tha ai.

TFF-ja dorëzoi për herët të parë një deklaratë interesimi për të organizuar Euro 2024-n në mars të vitit 2017.

“Ne kemi qenë shumë të zënë me fushatën, kemi komunikuar me miqtë tanë. Shpresojmë të kemi qenë në gjendje t'i bindim anëtarët e tjerë të komisionit. Do ta shohim vendimin më 27 shtator”, u shpreh Yardimci.

Stadiume të reja

Pasi vuri në pah se dosja e Turqisë thotë se gjatë turneut do të përdoren 10 stadiume, me 8 prej tyre tashmë të përfunduara, Yardimci sqaroi se stadiumet janë mesatarisht 3-vjeçare dhe gjithashtu më të reja sesa ato gjermane.

“Qeveria turke ka dhënë garanci financiare dhe ligjore. Ne nuk do të paguajmë asnjë tarifë transporti për tifozët për të udhëtuar rreth Turqisë gjatë turneut. Përfitimet financiare të Turqisë për UEFA-n do të ishin më të mira sesa të Gjermanisë”, siguroi ai.

Motoja e Turqisë për UEFA Euro 2024-n është "të ndajmë së bashku", e cila synon t'i afrojë njerëzit më shumë me pasionin e tyre për futbollin, sipas TFF-së.

Faqja zyrtare www.euro2024adayiturkiye.com është lançuar në 15 gjuhë, përfshi këtu turqishten, anglishte dhe frëngjishten, në përpjekje për të ndarë të gjitha detajet rreth kandidaturës me shoqëritë evropiane dhe turke. Faqja e internetit gjithashtu promovon qytetet potenciale në Turqi për turneun.

Dosja e kandidaturës së Turqisë për Kampionatin Evropian të Futbollit 2024 përmban dhjetë stadiume në nëntë qytete. Këto qytete dhe stadiume janë: Stadiumi Olimpik "Ataturk" dhe Kompleksi Sportiv "Ali Sami Yen"-Stadiumi "Turk Telekom" në Stamboll; Stadiumi i Bashkisë Metropolitane në Bursa; Stadiumi i Antalias; Stadiumi i Ri në Eskişehir; Stadiumi i Gaziantepit; Stadiumi i Bashkisë Metropolitane në Konja; Kompleksi Sportiv "Senol Gunes" në Trabzon; Stadiumi i Ri në Kocaeli dhe Stadiumi i Ri në Ankara. / AA



Lajme të ngjashme